fbpx
Lidhu me Ne!

Shqipëri

Një i vrarë dhe katër të plagosur në Elbasan, pranga autorit të dyshuar (Video)

Publikuar

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, u ekzekutua sot me armë në Elbasan, teksa katër persona të tjerë mbetën të plagosur, prej të cilëve një punonjëse policie. Policia në komunikimin zyrtar tha se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në lagjen “5 maji”, ndërsa nuk dihet qartë dinamika dhe motivi i vrasjes.

Autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si Arbër Paplekaj, i cili është vënë menjëherë në pranga të policisë. Sipas informacioneve, mësohet se Papleka ka qenë punonjës policie dhe ishte larguar nga detyra rreth dy vite më parë.

Nga të plagosurit, punonjësja e policisë është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të tjerët janë nisur për në Spitalin Universitar të Traumave në Tiranë. Policia e Elbasanit po ashtu ka bërë shoqërimin e disa personave, të cilët mendohen se ka dijeni për ngjarjen, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani.

Pjerin Xhuvani njihej në Elbasan pasi ka qenë drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit e më pas drejtor i Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në vitin 2015 qe arrestuar për abuzime me skemën e rimbursimit të ilaçeve. Ai ka qenë i angazhuar me disa parti politike. Më parë ka qenë funksionar i LSI-së në Elbasan, apo dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Gazetari Merin Maçi tha se së fundmi nuk ka pasur të dhëna për angazhim specifik me ndonjë forcë politike.

Në përplasjen mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, më 14 mars, Pjerin Xhuvani qe pikasur në fotografi të denoncuara nga opozita teksa përshëndetej me Sekretarin e Partisë Socialiste Taulant Balla.

Në një deklaratë për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Xhuvani qe konsideruar i lidhur me krimin. Elbasani është konsideruar prej kohësh si qytet me kriminalitet të lartë. Vrasja ndodh katër ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.