fbpx
Lidhu me Ne!

Shqipëri

Nishani kërkon largimin e Bashës nga PD

Sot PD është partia më e përçarë se në të tërë historinë e saj

Publikuar

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani shprehet se Partia Demokratike ka nevojë për krijimin e një modeli të ri, duke nisur që nga organizimi i strukturave të saj.

Ish-presidenti Nishani e cilësoi situatën aktuale ku ndodhet partia kryesore e opozitës si “shumë shqetësuese dhe dëshpëruese” që vjen nga humbja në zgjedhje. Sipas tij nevojitet një analizë e plotë për të nxjerr problematikat që çuan në humbje.

Por, pavarësisht se një analizë nuk është kryer ende ai në një intervistë për Euronews Albania thotë se është i domosdoshëm largimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë pasi duhet të marrë përgjegjësinë e tij politike.

“Analiza është e domosdoshme për të parë ku është gabimi i z. Basha dhe atyre që kishin përgjegjësi për të arritur objektivin e këtyre zgjedhjeve që ishte fitorja. Hapi i parë është marrja e përgjegjësisë politike, pasi gabimet janë të shumta dhe të ndryshme që janë të ndikuar nga faktorë objektivë dhe subjektivë. Analiza nuk është unikale në të gjithë vendin pasi ne kemi një sistem zgjedhor rajonal proporcional. Ajo që ka sot z. Basha është përgjegjësia politike. Në një vend normal lideri merr menjëherë përgjegjësinë dhe largohet”, u shpreh z. Nishani.

Sipas Bujar Nishanit, “sot PD është partia më e përçarë se në të tërë historinë e saj”. Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD pranon se humbja mund të ketë ardhur nga vjedhja dhe deformimi i votës por kjo nuk i  heq përgjegjësinë kryetarit të partisë.

“Ky standard i vjedhjes dhe tjetërsimit të votës do të vazhdojë sa kohë që do të jetë Rama në pushtet. Nëse opozita është e zonja dhe e aftë për të menaxhuar një projekt që mobilizon jo 46% të popullit por 66%, nëse do të kishte një dallgë të madhe nuk do të kishte manipulim të Ramës që do t’i bënte ballë”, tha ai.

Për z. Nishani analiza duhet të nxjerrë problematikat për secilin qark dhe problemi tani në PD nuk është thjesht për të zgjedhur një kryetar të ri por për ndërtimin e një modeli të ri që do ta rikthejë në pushtet.

Kreu i Këshillit Kombëtar foli gjatë intervistës me gazetaren Loneta Progni edhe për probleme organizative në parti duke theksuar se strukturat dhe organizmat e saj nuk funksionojnë realisht dhe nuk janë pjesë e vendimmarrjes në parti.

“Nuk është çështja e zgjedhjes së kryetarit është puna e modelit, modeli i Bashës dështoi. Nuk flasim vetëm për modelin e kryetarit, por modelin e partisë. PD ka nevojë për një model të ri që nis me krijimin e strukturave të saj me vendimmarrje reale dhe jo fiktive”, deklaroi z. Nishani.

Gjithashtu sipas tij PD duhet të vendosë çështje prioritare si parti e djathtë ku përmendi korrupsionin, krimet e komunizmit, çështjen e pronave, arsimin, etj.

“Ky model rezultoi dështak, nuk po themi se z. Basha nuk ka bërë përpjekje por ato janë të pamjaftueshme për të ardhur në pushtet dhe nuk mund të mbetemi peng e këtij modeli. Sot PD është më e përçarë se kurrë më parë dhe ka nevojë për krijimin e një spekteri”, përfundoi ish-presidenti.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021