fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Ngatërrim i prioriteteve në kohën e pandemisë

“Nuk është koha dhe momenti i duhur që të merremi më këtë projektligj, të hargjojmë energji të panevojshme, kur pandemia është duke na shkaktuar dëme të mëdha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në “Germin”.

Publikuar

Kosova është përfshirë nga përplasjet politike për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e presidentit, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe dëmet që ka shkaktuar pandemia në ekonomi e fusha të tjera.

Hana Xhemajli është specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore. Sipas saj, sjellja e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kuvend të premten (2 prill), në kohën kur Kosova po përballet me një numër të lartë vdekjeve dhe të infektuarve nga COVID-19, është mjerim.

Edhe Organizata joqeveritare “Germin”, që merret me organizmin e diasporës, konsideron se në rrethanat aktuale, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, të arsyeshme do të ishin vetëm nismat ligjore që kanë për qëllim parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë. Vetëm gjatë kësaj javë në Kosovë janë regjistruar 54 vdekje dhe 4,187 raste të reja me COVID-19.

Ndërkaq, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme po trajtohen 856 pacientë.
“Numri i vdekjeve është rritur dukshëm. Kjo, përveç popullatës, duhet ta shqetësojë secilin politikan. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, është në pushtet nga 22 marsi dhe kam besuar që nga ajo kohë do të fillojë një qeverisje se si do të menaxhohet gjithë kjo rritje e numrave. A do të ketë mbyllje apo mbyllje të pjesshme”, thotë Xhemajli për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, shton Xhemajli asnjë temë tjetër jashtë vaksinimit të popullatës dhe pandemisë nuk duhet të jetë prioritet. Numri i madh i të infektuarëve, shton ajo, është pasojë e një mosmenaxhimi të duhur të pandemisë COVID-19.
Kosova, duhet të fokusohet tek vaksinat, pasi sipas Xhemajlit, numri i vaksinave që ka ardhur është i vogël dhe nuk mund të llogaritet si hap në luftimin e pandemisë.

“Qytetari ka votuar që të jetë prioritet i qeverisjes dhe prioritet për momentin është shëndeti i qytetarëve, qoftë ai fizik, qoftë ai mendor. Mbrëmë është shpërfaqur një mjerim i gjithë kësaj”, tha ajo.

Në Kosovë, fushata e vaksinimit ka nisur më 29 mars, pasi shteti pranoi 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se deri në mesditën e së premtes, 1.228 qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe nëpunës të institucione shëndetësore janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Të premten, kur pritej të caktohej seancë për votimin e presidentit të ri në Kuvendin e Kosovës, qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend për shqyrtim ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në këtë Ligj kërkoheshin ndryshime që t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë. Por, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës dështoi për shkak se opozita votoi kundër.

“Nuk është koha dhe momenti i duhur që të merremi më këtë projektligj, të hargjojmë energji të panevojshme, kur pandemia është duke na shkaktuar dëme të mëdha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në “Germin”.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021