fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Në pamje më të gjerë, procesi i dialogut Kosovë–Serbi ka shënuar përparim të paktë

Publikuar

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të martën se me gjithë fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë dhe targat e makinave, procesi i dialogut në pamje të gjerë ka shënuar përparim të paktë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimeve me udhëheqësit e Kosovës dhe me udhëheqësit e Serbisë një ditë më parë në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.

“Duke ju falënderuar dialogut ne kemi arritur rezultate në fund të vitit të kaluar. Marrëveshja për energjinë dhe njohja e targave të makinave janë prova konkrete por ka pasur pak përparim në pamjen e gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Ne kemi marrëveshjen e shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar që do të thotë se nuk ka më nevojë të shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë, madje ne nuk kemi nevojë të pyesim vetën se si ta bëjmë por pyetja është se kur të zbatohet dhe nëse pyetem unë, do të thosha sa më shpejt që është e mundur”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti vëmendja do të jetë e përqendruar në proceset zgjedhore, “prandaj unë udhëtova dje në Beograd dhe sot në Prishtinë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të kuptuar ku jemi në këtë proces dhe për të diskutuar sa përparim do të mund të arrijmë para zgjedhjeve”, tha zoti Lajçak.

Ai tha se në takim me kryeministrin Kurti është diskutuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb. Ai tha se do t’i njoftojë vendet anëtare dhe udhëheqësit evropianë dhe do të përgatitë hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha nëpërmjet një komunikate pas takimit me zotin Lajçak se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe se marrëveshjet e arritura një vit më parë duhet të zbatohen në tërësi.

Presidentja Osmani, thuhet në njoftim ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të projekt statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat sipas saj mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e projekt statutit me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate tha se në takimin e kryeministrit Albin Kurti me të dërguari evropianë për bisedime Miroslav Lajçak është diskutuar “për aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të brukselit dhe aneksit zbatues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si psh. respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”.

Vizita e zotit Lajçak në Prishtinë pasoi atë në Beograd, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se i ka kërkuar ndërmjetësuesit mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ndalur sic tha “provokimet e mëtejshme nga Prishtina”. Presidenti serb tha se ka nënvizuar nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe mbajtjes së zgjedhjeve në veri sa më parë që të jetë e mundur.

Muajin e ardhshëm mbushet një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Në tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çon në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët.

Marrëveshja nuk arriti të ulë tensionet që kulmuan me 24 shtator të vitit të kaluar kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës bë fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u bëri thirrje mbrëmë Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre si dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Zoti O’Brien i cili i shprehu mbështetje të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në përpjekjet për ripërtëritjen e procesit të bisedimeve ndërmjet palëve, theksoi se zgjedhjet e reja të veri duhet të mbahen dhe duhet bashkërendim për zbatimin e rregullores së re mbi monedhën, duke iu referuar debateve që ka nxitur një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook