fbpx
Lidhu me Ne!

Ekonomi

Ndikimi i Covid 19 – Sa u rrit borxhi publik dhe cili është niveli i të hyrave buxhetore?

Deficiti buxhetor arriti në 7.1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Me rritje prej 23.9 për qind u karakterizua edhe borxhi publik, që arriti vlerën prej 1.5 miliardë euro

Publikuar

Masat qeveritare për adresimin e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 kanë ndikuar në rritjen e deficitit buxhetor si dhe borxhit publik. Raporti i Stabilitetit Financiare, i publikuar të enjten nga Banka Qendrore e Kosovës, e nxjerr në pah një fakt të tillë dhe thekson po ashtu se të hyrat buxhetore shënuan rënie vjetore prej 8.8 për qind ndërsa shpenzimet u rritën për 6.5 për qind.

“Si rezultat, deficiti buxhetor arriti në 7.1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Me  rritje prej 23.9 për qind u karakterizua edhe borxhi publik, që arriti vlerën prej 1.5 miliardë euro. Si  përqindje e Bruto Prodhimit Vendor, borxhi publik arriti në 21.8 për qind nga 17.5 për qind në dhjetor 2019”, thuhet në raport, transmeton Tipografi.

Rritja e borxhit publik, sipas BQK-së, i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 21.5 për qind (i cili ka arritur në 961.9 milionë euro), dhe rritjes së borxhit të jashtëm publik prej 28.6 për qind duke arritur në 525.8 milionë euro, shkruan Tipografi.

Ndërkohë Raporti i Stabilitetit Financiare, që përshkruan periudhën Janar-Dhjetor 2020, thekson se trendi i rritjes së borxhit të brendshëm të sektorit privat është ngadalësuar, ndikuar nga ngadalësimi i rritjes kreditore, ndërsa borxhi i jashtëm për ndërmarrjet ka shënuar rritje.

“Pandemia Covid-19 ndërpreu trendin ndër vite të rritjes dyshifrore të kreditimit të sektorit privat. Stoku i kredisë së ndërmarrjeve nga sektori bankar ngadalësoi rritjen në 7.2 për qind nga 9.8 për qind një vit më parë, kryesisht si rezultat i përgjysmimit të rritjes së kredive të reja në 4.4 për qind (9.7 për qind rritje në 2019)”, thuhet në raportin e BQK-së.

Sipas BQK-së, kreditë e ndërmarrjeve nga ndërmjetësit tjerë financiar, të cilat kanë peshë të ulët në gjithsej kreditë, shënuan rënie prej 1.9 për qind. Ndërsa borxhi i jashtëm i ndërmarrjeve ka shënuar rritje prej 26.0 për qind duke arritur në 25.0 për qind të gjithsej borxhit nga 22.0 për qind sa ishte në vitin 2019.

Po ashtu sipas BQK-së, kreditë e sektorit bankar ndaj ekonomive familjare ngadalësuan rritjen në 7.1 për qind nga rritja vjetore 10.4 për qind një vit më parë, si rezultat i rënies vjetore prej 2.4 për qind të kredive të reja.

“Ndërsa, kreditë nga institucionet tjera financiare si dhe borxhi i jashtëm shënuan rënie prej 9.2 për qind dhe 19.9 për qind respektivisht. Për të mbështetur vazhdimin e kreditimit të ekonomisë nga sektori bankar, janë ndërmarrë masa lehtësuese operative dhe rregullative nga BQK, si dhe masa mbështetëse për qasje në financa”, thuhet në raport.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021