fbpx
Lidhu me Ne!

Botë

NATO konfirmon unitetin përballë “agresionit rus”

Publikuar

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u zotuan se aleanca perëndimore do të vazhdojë të përshtatet përballë “kërcënimeve në rritje dhe konkurrencës sistematike”, ndërsa theksuan se “veprimet agresive të Rusisë përbëjnë kërcënim për sigurinë euro-atlantike”.

“Fuqitë kategorike dhe autoritare, si dhe aktorët joshtetërorë sfidojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ashtu si edhe kërcënimet hibride dhe kibernetike, përdorimi keqdashës i teknologjive të reja, si dhe kërcënimet e tjera asimetrike”, thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të martën, pas ditës së parë të bisedimeve në Bruksel.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po merr pjesë në mbledhjen dyditore të NATO-s, tha më herët se rritja ushtarake e Kinës dhe përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Perëndimin janë kërcënime që kërkojnë bashkimin e NATO-s.

Në deklaratën e tyre, ministrat e NATO-s e riafirmuan “lidhjen e qëndrueshme transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut – me NATO-n në zemër të saj”.

Ministrat po ashtu shprehën mbështetje për Nenin 5 të Traktatit themelues të NATO-s, sipas të cilit, sulmi kundër një aleati konsiderohet sulm kundër të gjithë atyre.

Në udhëtimin e tij të parë në Bruksel si sekretar shteti, Blinken po ashtu u zotua se Uashingtoni do të punojë për të rindërtuar dhe forcuar NATO-n.

“Shtetet e Bashkuara duan ta rindërtojnë partneritetin tonë… Ne duam ta ringjallim aleancën”, u tha Blinken gazetarëve, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Blinken do të takojë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të biseduar rreth rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 dhe forcimit të demokracisë.

Udhëtimi i tij në Evropë, sipas vëzhguesve, synon të nxjerrë në dukje politikën e re të jashtme amerikane, pas administratës së ish-presidentit Donald Trump. Qasja e Trumpit ka qenë “Amerika e para” dhe aleatët tradicionalë i ka trajtuar shpesh si rivalë dhe jo partnerë.  Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, është zotuar se do t’i riparojë marrëdhëniet transatlantike.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021