fbpx
Lidhu me Ne!

Shëndeti

MSH: Vaksinat kundër COVID-19 kanë afat të mjaftueshëm për përdorim

Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë

Publikuar

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës tha se të gjitha vaksinat kundër koronavirusit, që po administrohen në Kosovë, kanë afat të mjaftueshëm për përdorim.

Ky reagim i MSH-së, vjen pasi deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ngriti dyshimet se vaksinat e pranuara donacion nga Norvegjia, ishin me afat të skaduar.

“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Të shtunën, më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, që ishin donacion nga shteti i Norvegjisë.

Po të njëjtën ditë, deputeti Haxhiu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte thënë se disa prej vaksinave të pranuara nga Norvegjia iu ka skaduar afati më 30 qershor, e disa të tjerave iu skadon më 30 korrik.

Ministria e Shëndetësisë ndërkaq, iu bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë në platformën e-Kosova për marrjen e vaksinës dhe rikujtoi edhe njëherë që Kosova është ndër “shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSH për përdorim kundër COVID-19”.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të marsit. Ndërkaq, më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv. Deri më tani, sipas të dhënave të MSH-së janë vaksinuar mbi 204 mijë persona.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: [email protected] | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021