Lajme
Molliqaj për dialogun me Serbinë: “Republika e Tretë qenka tretje e Republikës”
Opozita nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë t’i bëhet bashkë Kurtit në këtë dialog autonomist

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, duke i komentuar “Non-Paper”, i cili flet për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se nëse kjo na qenka “Republika e Tretë”, atëherë, jo, faleminderit! Republika e Tretë qenka tretje e Republikës.
“Përmbajtja e dialogut duket se ka rrjedhur. Nëpër medie po raportohet, ajo që dihej në vija të trasha. Linja e Borellit në negociatat Kosovë-Serbi është linja e autonomisë së Serbisë brenda Kosovës. Është linja e mosnjohjes së Kosovës dhe defunksionalizimit të shtetit tonë. Është linjë e etnizimit të shoqërisë dhe përjetësimit të konfliktit. Është linjë që duhet refuzuar e bllokuar. Me çdo kusht dhe sa më shpejt”, ka shkruar Molliqaj në profilin e tij në Facebook.
Molliqaj ka thënë se ky dialog duhet të bllokohet. Kurti sot e ka momentin të vendosë reciprocitet, kushte, e çkado… veç t’mos e lejojë të vijë në shprehje një linjë e tillë në dialog.
“Opozita nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë t’i bëhet bashkë Kurtit në këtë dialog autonomist. Në këtë defunksionalizim që do t’ia bëjë Kosovës. Duhet rezistencë, nëse Qeveria e shtrinë qafën”, ka thënë Molliqaj
Postimi i plotë i Molliqajt:
SHKON GRENELLI, VJEN BORELLI
Përmbajtja e dialogut duket se ka rrjedhur. Nëpër medie po raportohet, ajo që dihej në vija të trasha. Linja e Borellit në negociatat Kosovë-Serbi është linja e autonomisë së Serbisë brenda Kosovës. Është linja e mosnjohjes së Kosovës dhe defunksionalizimit të shtetit tonë. Është linjë e etnizimit të shoqërisë dhe përjetësimit të konfliktit. Është linjë që duhet refuzuar e bllokuar. Me çdo kusht dhe sa më shpejt.
1. Nuk ka reciprocitet;
2. Nuk ka njohje nga Serbia;
3. Veriu – njësi autonome;
4. Veriu autonom, me pushtet legjislativ e ekzekutiv. Me kuvend të vetin e me përfshirje të Serbisë në qeverisjen e kësaj zone;
5. Komunat serbe të jugut me asociacion që i ndanë nga qytetarët e tjerë të Kosovës;
6. Kisha Ortodokse me status të veçantë kushtetues, jashtë sovraniteti të Republikës tonë;
7. Ndryshim i kushtetutës, për ta përshtatur me këtë marrëveshje të dëmshme;
8. Mitrovica zonë e veçantë ekonomike;
9. Demarkacioni me Serbinë;
10. Moratorium në raport me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Këto janë pikat që po i përgatiten Kosovës nga procesi i ri dialogues. Ky dialog duhet të bllokohet. Kurti sot e ka momentin të vendosë reciprocitet, kushte, e çkado… veç t’mos e lejojë të vijë në shprehje një linjë e tillë në dialog. E nëse futet në këtë proces, atëherë rezultati janë këto 10 pika.
Opozita nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë t’i bëhet bashkë Kurtit në këtë dialog autonomist. Në këtë defunksionalizim që do t’ia bëjë Kosovës. Duhet rezistencë, nëse Qeveria e shtrinë qafën.
