fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Ministri hungarez thotë se anëtarësimi i Serbisë në BE s’duhet të kushtëzohet me Kosovën

Publikuar

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të martën se Serbia “është e gatshme” për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se anëtarësimi i saj në bllok nuk duhet të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Hina, ai tha se kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “i padrejtë” ndaj Beogradit, sepse “kjo gjë nuk varet vetëm nga Serbia”.

“Izolimi i Serbisë është taktika më e keqe e mundshme”, tha Szijjarto.

Kreu i diplomacisë hungareze tha se Serbia është “e gatshme të hyjë nesër në BE”, dhe se pa të, si vendi “më i madh dhe më i fortë” në Ballkanin Perëndimor “nuk ka stabilitet në bllok”.

Szijjarto e shpjegoi retorikën e shpeshtë antiperëndimore dhe antievropiane të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një ndjenjë zhgënjimi për shkak të mungesës së përparimit drejt anëtarësimit, pavarësisht “kritereve të përmbushura”.

“Unë besoj se qasja e burokracisë nga Brukseli duhet të ndryshojë ndaj saj [Serbisë]”, tha ministri hungarez.

Serbia është kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së prej vitit 2012, ndërsa bisedimet për anëtarësim i hapi në vitin 2014.

BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok do të varet nga përparimi i saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.

Szijjarto tha gjithashtu se projekti i BE-së nuk do të përfundojë derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të saj.

“Brukseli ka nevojë për rajonin [Ballkanin Perëndimor] më shumë se sa që i nevojitet rajoni”, tha ai.

Szijjarto njoftoi se gjatë presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të theksojë përshpejtimin e këtij procesi, pasi “kjo do t’i japë BE-së freski dhe vrull të ri”.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook