fbpx
Lidhu me Ne!

Sport

Milani me ritëm titulli, ja si mund të “mbijetojë” Pioli

Publikuar

Që Milani është në kërkim të një trajneri për të ardhmen, është një fakt, përtej mohimeve të detyrueshme të përditshme nga drejtuesit e kuqezinjve.

Është një strategji fituese, po të analizohen rezultatet e dy muajve të fundit: për skuadrën e Piolit 7 fitore dhe 2 barazime në 9 ndeshjet e fundit, pavarësisht dëmtimeve të shumta.

Youri Djorkaeff, “playmaker” i rafinuar i viteve ’90 shpesh shprehte një teori personale që e bën njeriun të reflektojë:

“Trajnerët janë si mobiljet. Herë pas here duhet të ndërrohen, jo sepse nuk e kryejnë më punën e tyre, funksionin, por për kënaqësinë e thjeshtë të ndryshimit të tyre”.

Ky duhet të jetë arsyetimi që mbizotëron në Milano. Në fund të fundit, futbollistët janë ende fëmijë, ndoshta të lartësuar nga ndonjë privilegj, por ende fëmijë. Ata duhet të ndryshojnë.

Megjithatë në këto dy muajt e fundit Milani ka udhëtuar me ritmin e “Scudettos”. Një seri me 23 pikë në 9 ndeshje, me 7 fitore, 2 barazime dhe zero humbje. E vetmja e metë në këtë 2024 është eliminimi nga Atalanta në Kupa e Italisë.

Pavarësisht mungesave të shumta, është një nga periudhat më të mira të epokës së Piolit. Vetëm në vitin e “Scudettos”, 2021-22, kuqezinjtë treguan futboll të një niveli më të lartë se ky, për nga cilësia dhe efektiviteti.

Një rrugë që nuk e përjashton Piolin nga kritikat dhe që nuk e lë trajnerin të sigurt nga një lamtumirë e mundshme në fund të sezonit.

Vëzhgimi i alternativave filloi të paktën disa muaj më parë, kur Milani i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve duke dështuar në një nga objektivat sezonalë.

Lexoni edhe:

Emrat që mund të pasojnë Piolin janë të ndryshëm: është Antonio Conte, që ndez imagjinatën e tifozëve më shumë se kushdo tjetër, duke pasur parasysh zakonin e tij të rrënjosur për të fituar (në Itali); është Julen Lopetegui, Thiago Motta…

Deri më sot, asnjë nga këto negociata të mundshme nuk ka hyrë në një fazë të avancuar, çka e lë të hapur mundësinë e vijimit me trajnerin aktual, sigurisht nëse arrihen objektivat e mbetur.

Tashmë mbetet për t’u përcaktuar se cilat janë kushtet për një konfirmim të Piolit, të cilit i ka mbetur edhe një vit kontratë. Me fitoren ndaj Napolit, kuqezinjtë konsoliduan vendin e tretë në renditje, që nënkupton kualifikimin në Championsin e sezonit të ardhshëm, që është objektivi minimal. T’i marrësh vendin e parë Interit në kushtet e sotme është e paimagjinueshme.

Pastaj është Europa League e cila potencialisht do ta bënte sezonin tepër të suksesshëm.

Milani i dy muajve të fundit mund të përmbysë teorinë e Djorkaeff, duke konfirmuar Piolin. Por Milani i 2024-25 duhet të ndryshojë sërish fytyrë, duke pasuruar stafin me profesionistë që ndihmojnë në parandalimin e dëmtimeve, duke zgjedhur një sulmues të madh që mund të mbështesë ose ndoshta edhe të zëvendësojë francezin Giroud.

 

 

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook