fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Megjithatë, dialogu mbetet prioritet i lartë i autoriteteve kosovare

Nga Jo Negociata – Vetëvendosje, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës

Publikuar

Njohës të rrethanave politike por edhe politikan të pozitës dhe opozitës, po e konsiderojnë vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, si një fazë përgatitore, për rinisjen e dialogut intensiv më Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë për këtë proces, opozita aktuale nuk po harron t’i përmend Kurtit premtimet e tij se ai nuk do ta konsideronte nder prioritetet i tij dialogun me Serbinë. Gjatë qëndrimit të Kurtit në Bruksel, opozita këtu, ia ka kujtuar Kurtit sloganin: Jo negociata, Vetëvendosje, kartë të cilën Kurti kur ishte në opozitë e përdorte shpeshtë.  

Njohësi i çështjeve politike në vend, Allen Meta, thotë për Tipografin se kjo vizite e Kryeministrit të Kosovës vjen pas një sere reagimesh se dialogu nuk do të jetë prioritet.

“E kjo vizitë një prej çështjeve kryesore e kishte edhe dakordimin për vazhdimin e dialogut. Kryeministri Kurti në këtë vizitë beri me dije se dialogu do të vazhdoje si dhe para autoriteteve të BE-së e tregoj në pika të shkurta edhe qëndrimin e Republikës së Kosovës jo vetëm karshi dialogut, por edhe karshi institucioneve të BE-së”, thotë Meta, duke e konsideruar këtë vizitë në përgjithësi të frytshme duke qenë së janë zhvilluar takime të shumta me krerë institucionesh dhe krerë shtetesh.

Meta duke komentuar refuzimin e Kurtit për tu takuar me presidentin serb, Aleksander Vuqic, ka thënë se personalisht beson që refuzimi i një takimi i cili nuk i është konfirmuar tregon pak a shume edhe pozicionin e Republikës së Kosovës, që kjo palë të shihet me serioze në tavolinën e dialogut nga pala negociuese por edhe mediatori në këtë rast BE.

“Kosova nuk duhet të ngutet të hyje në fazën finale të dialogut e papërgatitur. Përpos eksperteve negociues, në skuadrën e përfaqësimit të Kosovës në dialog, i duhet edhe opozita, duke krijuar përkrahje të gjerë e serioze rreth këtij procesi”, thotë Meta, për Tipografi.info.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti i cili sot në Bruksel konfirmoi rinisjen e dialogut, pa vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë siç kishte premtuar.

Hoxhaj ka shkruar në faqen e tij në Facebook se me konfirmimin e tij për rinisje të dialogut me Serbinë, Albin Kurti sot e përmbysi gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi.

“Nga Jo Negociata – Vetëvendosje, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që në dialog me Serbinë të ketë parime të panegociueshme.

Përmes një konference për media anëtarja e kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqia, tha se Qeveria duhet të ketë kujdes se për çfarë do të negociojë në Bruksel.

Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka vlerësuar si të drejtë refuzimin që i bëri kryeministri aktual, Albin Kurti, takimit të 11 majit, i cili ishte paracaktuar nga Bashkimi Evropian, e që konsiderohej si nisje e dialogut Kosovë- Serbi.

“Refuzimi i Kryeministrit Kurti të takimit të 11 majit është i drejtë. Ai takim ishte caktuar nga Borell e Vuçiq pa konsultim me palën kosovare. Takimet e formatit të tillë, duhet paraprakisht të dakordohen me institucionet e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti, ndërkaq, para Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka thënë se Kosova ulet në tavolinën e bisedimeve si palë e barabartë me Serbinë.  “Detyrimi im është që të mbrojë pavarësinë e Kosovës. Ne jemi për dialog por për një dialog të mirë përgatitur dhe me parime./tipografi/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021