fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Mali i Zi, sfidat e miratimit të Ligjit për media

Publikuar

Ligjet për media, të harmonizuara me standardet evropiane janë të nevojshme për të ndihmuar në luftën kundër dhunës ndaj gazetarëve në Malin e Zi. Një kërkesë e tillë u theksua edhe në raportet e KE-së, por edhe në Konferencën Ndërqeveritare të BE-së me Malin e Zi. Njohësi i çështjeve mediatike, zoti Mustafa Canka tha se duhen masa të qarta mbrojtëse kundër çdo forme ndikimi të palejueshëm në pavarësinë institucionale apo financiare të transmetuesit publik dhe mediave tjera.

Mali i Zi duhet të miratojë një ligj të ri për media, për të forcuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Po ashtu nevojitet reforma në Këshillin Kombëtar të Medias pasi Mali i Zi nuk e ka një organ të tillë dhe as në njoftimet e ligjeve dhe strategjive të reja u theksua vazhdimisht në raportet e Komisionit Evropian, por edhe në Konferencën Ndërqeveritare të Bashkimit Evropian me Malin e Zi.

Përfaqësuesi i Institutit për Media dhe i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur në Mal të Zi, Mustafa Canka thekson se një kornizë më e fortë legjislative dhe harmonizimi me standardet evropiane është e nevojshme për të ndihmuar luftën kundër dhunës ndaj gazetarëve.

“Miratimi i Ligjit do të ishte një avancim drejt lirive të gazetarëve dhe lirive në përgjithësi në Malin e Zi. Në këtë drejtim është duke u punuar me vite dhe ky ligj do tu mundësojë gazetarëve të punojnë më lirë dhe të kenë përgjegjësinë më të madhe për fjalën e thënë”, tha zoti Canka.

Për shkak të kritikave ndaj gjuhës së urrejtjes të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në gjykatën malazeze nisi gjykimi ndaj analistit dhe intelektualit të njohur malazez Boban Batriçeviç.

Zoti Canka vlerëson se kjo është një cenim i hapur i së drejtës dhe lirisë së shprehjes në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

“Ky është një hap i gabuar, një hap anti-evropian, anti-demokratik dhe mendoj se Prokuroria e Lartë dhe Kryeprokurori Shtetërorë duhet ta mënjanojë dhe ta hedhë poshtë këtë akuzë, pasi si e tillë nuk mund të qëndrojë në një shtet demokratik që synonte jetë pjesë e BE-së”, tha zoti Canka.

Komisioni Evropian por edhe opinioni mediatik në Malin e Zi kanë shprehur shqetësime lidhur me ndryshimet në ligjin për Radio Televizionin e Malit të Zi, të propozuar kohë më parë nga qeveria. Brukseli ka theksuar se propozimi i qeverisë është miratuar pa u konsultuar me publikun dhe Komisionin Evropian.

Zoti Canka, vë në dukje, se Mali i Zi duhet të shmang çdo vendim që mund të kërcënojë pavarësinë e Radio Televizioni të Malit të Zi.

“Radio Televizioni i Malit të Zi është duke bërë hapa të dukshme sa i përket informimit dhe është mjaftë i pavarur në punën e vet. Ky media i rëndësishëm mund të ndikohet nga qeveria përsa i përket financave që do të ishte në dëm të politikës redaktuese”, tha zoti Canka.

Mali i Zi përballet me sfidat e miratimit të një sërë ligjesh për median siç janë ligji për radio televizionin publik dhe ligji për mediat elektronike.

Njohësi i çështjeve mediatike në Mal të Zi, Mustafa Canka tha se duhen masa të qarta mbrojtëse kundër çdo forme ndikimi të palejueshëm në pavarësinë editoriale, institucionale ose financiare të transmetuesit publik dhe mediave tjera, të cilat duhet t’u përmbahet standardeve më të larta të integritetit dhe përgjegjësive profesionale.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook