Lajme
LVV përjashton partitë e komuniteteve nga bashkëqeverisja

Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur të merret me votat e arritura nga diaspora me postë. Bëhet fjalë për procesin e parë, atë të verifikimit të 43.447 pakove me fletëvotime nga jashtë, e të cilat mund të përmbajnë më shumë se një votë. Ky proces, megjithatë pritet të marrë disa ditë.
Sipas rezultateve preliminare, LVV ka fituar 47,85% të votave, që sipas projeksioneve mund të përkthehet në 56 ulëse në kuvend. Me votat e diasporës dhe atyre me kusht, parashikimet janë që LVV-ja të arrijë maksimum 59 ulëse në kuvend, apo dy më pak sesa shumica e nevojshme për ta krijuar vetë qeverinë.
Zyrtarët e LVV-së përjashtojnë çdo mundësi që të ftojnë ndonjë parti shqiptare për bashkëpunim dhe thonë se do të kërkojnë partnerë në mesin e komuniteteve jo shumicë, duke përjashtuar Listën Serbe.
“Ne presim që të kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë dhe institucioneve. Do të presim të shohim edhe deputetët e tjerë të komuniteteve jo serbë dhe të shohim për hapat e tjerë të bashkëpunimit”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.
Rezultatet finale shpallen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë.
Subjektet politike të komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë. Dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.
Ndërkaq, dhjetë ulëse të tjera janë të garantuara për komunitetet jo serbë. Prej tyre tri ulëse i takojnë komunitetin boshnjak, dy ulëse për komunitetin turk, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.
