fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

LVV-ja synon “legjitimitetin moral” për Kurtin

Publikuar

Votat për kandidatët e subjekteve politike, të cilët nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk do të hyjnë në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve, konfirmon zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, shkruan Evropa e Lirë

Rrjedhimisht, pavarësisht mundësisë që numrat dhe emrat e kandidatëve të pa certifikuar mund të marrin numër të caktuar të votave, ato nuk do të formalizohen ligjërisht.

Kjo do të vlejë edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili vazhdon të thotë që është bartës i listës së këtij subjekti politik, si dhe për dy kandidatë tjerë të këtij subjekti, të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja.

Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në rast votuesit e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt politik dhe më pas në votimin e kandidatëve e shenjojnë numrin “1”, kjo nënkupton që kanë dhënë votën për Albin Kurtin.

Pavarësisht që në rastin konkret Kurti nuk është i certifikuar, megjithatë sipas tij, mund të dihet numri i atyre që kanë shprehur interesimin që ta votojnë.

“Ato mund të numërohen dhe ata që kanë interes që ta dinë se sa njerëz e kanë rrethuar emrin e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut apo edhe të ndodnjë kandidati tjetër të partive tjera, ajo është çështje e vëzhguesve dhe komisionerëve të atij subjekti. Nëse nuk duan nuk e bëjnë. Por, nëse duan, mund ta bëjnë dhe kjo nuk e pengon askënd asgjë”, theksoi Kurteshi.

Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që Lëvizja Vetëvendosje, në pamundësi për siguruar , siç e quan ai, legjitimitetin ligjor për liderin e saj, për shkak të moscertifikimit të tij nga KQZ-ja, po synon të arrijë legjitimitetin moral.

“Legjitimitet juridik nuk ka, për shkak se nuk është i certifikuar. Më tepër kemi të bëjmë me këtë pjesën e legjitimitetit moral para publikut. Tendeca është më tepër, sa i përket Vetëvendosjes, që Kurti si lider i partisë dhe si kandidat i pacertifikuar, synon të bëhet kryeministër. Pastaj kjo të dalë në publik që ndonëse Kurti nuk ka qenë i certifikuar si kandidat, ka arritur të marrë një numër të caktuar të votave, të cilin ata (LVV) mund ta publikojnë, për ta legjitimuar në njëfarë mënyre përkrahjen popullore ndaj tij. LVV e ka sulmuar shumë (kryeministrin në detyrë, Avdullah) Hotin që me aq pak vota ka arritur të bëhet kryeministër dhe e kanë goditur pikërisht në këtë çështjen e legjitimitetit”, tha Demhasaj.

Se Lëvizja e Vetëvendosje synon legjitimitetin moral për liderin e saj Kurtin, nuk e mohon as Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga ky subjekt politik.

“Çështja është kështu, pra, kemi kategoritë e legjitimitetit dhe legalitetit. Ato vota janë legjitime sipas përzgjedhjes së qytetarëve. Ato nuk numërohen si legale, sepse nuk janë në broshurat në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Asgjë këtu nuk ndryshon. Do të thotë, në aspektin statistikor, numërohen votat për Vetëvendosjen. Në aspektin e legjitimitetit, e shohin njerëzit se kush ka marrë vota më së shumti, ndërkaq në aspektin e legalitetit, nuk futen në listën e kandidatëve sikur kandidatët tjerë”, theksoi Kurteshi.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021