Kosovë
LVV bashkë me PDK udhëheqin seancën konstituive

Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) dhe deputetja më e re, Adelina Grainca (Partia Demokratike e Kosovës).
Të 120 deputetët e zgjedhur më 14 shkurt do të bëjnë betimin dhe më pas do të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e kuvendit.
Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pritet që për kryetar të kuvendit të nominojë Glauk Konjufcën.
Konjufca edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019 ishte zgjedhur në këtë post, të cilën e mbajti për një kohë të shkurtër, duke ia liruar vendin Vjosa Osmanit dhe vetë kaloi në udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, që pritet të ndodhë në seancën konstitutive të 22 marsit, Kosova do të ketë edhe ushtruesin e ri të detyrës së presidentit.
Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.
Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.
