fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Lokacionin për Ambasadë e cakton Izraeli, jo Kosova

Publikuar

Profesori i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raportet Kosovë dhe Izrael, ka pasur dy akte. E para, sipas tij, më 4 shtator në Uashington, Kosova ka nënshkruar zotimin, që paraqet njohjen ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Izraelit dhe akti i dytë, siç thotë ai, është themelimi i marrëdhënieve diplomatike, në aspektin formal, ndërmjet dy shteteve.

“Në marrëveshje për themelimin e marrëdhënieve diplomatike, palët nuk mund t’i diktojnë njëra-tjetrës lokacionet se ku mund të jenë ambasadat, përkatësisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Kjo për shkak se atë e përcakton shteti i pranimit, shteti mikpritës, në këtë rast, Izraeli. Çdo shmangie nga ky rregull, nënkupton devijim të politikës bilaterale me Izraelin dhe orientim të Kosovës me vendet e Lindjes së Mesme që kanë orientim islamik”, theksoi Hasani.

Kurti, ndërmjet “dy zjarreve”

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurit, i cili është kandidat për kryeministër të vendit, ka marrë letra urimi nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, në anën tjetër, Erdogan ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Kalkulime politike?

Zyrtarë nga partia e Kurtit kanë thënë se për çështjen se a do ta hapë Kosova Ambasadën e saj në Jerusalem, do të deklarohen pasi të formohet qeveria. Për, më shumë, lidhur me këtë çështje ata kanë udhëzuar që t’i referohemi deklaratave të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, të cilat i kanë dhënë më 12 shkurt, në një nga televizionet vendore.

Vjosa Osmani, e cila nga Lëvizja Vetëvendosje është propozuar si kandidate për presidente të Kosovës, nuk ka precizuar nëse Kosova do ta hapë Ambasadën në Jerusalem.

“Në fakt, marrëveshja, në pikën e saj të fundit, thotë që Kosova (Prishtina) dhe Izraeli, pajtohen që të bëjnë njohje reciproke. Askund nuk përmendet Jerusalemi… Ajo çfarë do të ketë rëndësi për ne do të jetë qëndrimi i administratës së re (të SHBA-së), qëndrimi i administratës Biden”, ka theksuar Osmani.

Pas kësaj deklarate të Osmanit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte folur shkurt.

“Unë nuk kam çka i shtoj deklarimit të presidentes (së propozuar nga Vetëvendosje)”, theksoi Kurti më 12 shkurt.

Por, profesori Hasani, shpreh mendimin që deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilave nuk jepet një përgjigje saktë nëse Kosova do ta hapë Ambasadën në Jerusalem, më tepër është kalkulim për politika të brendshme.

“Unë besoj që është kalkulim politik, që bëhet për galeritë politike të brendshme dhe për konsum të brendshëm politik, sepse Kosova nuk mund ta diktojë orientimin e përgjithshëm të politikës së jashtme amerikane. E dyta, Kosova nuk mund të ndikojë fare në interpretimin e të drejtës ndërkombëtare publike”, theksoi Hasani.

Spahiu: Ftohja e raporteve me Turqinë, e pritshme

Ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se reagimet lidhur me atë se Kosova mund ta hapë përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem, mund të vazhdojnë edhe më tej. Por, sipas tij, Kosova duhet të ndjekë shembullin e partnerit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkaq të punojë që partneriteti i Kosovës me Turqinë të mos dobësohet. Megjithatë, në rast se Kosova vendos Ambasadën e saj në Jerusalem, sipas Spahiut, raportet me Turqinë, do të ftohen.

“Mendoj që do të ketë një farë lloj ftohjeje të raporteve dhe është detyrë e diplomacisë së Kosovës që të shpjegojë këtë qëndrim të palës kosovare, duke ditur që zotimi që kemi bërë në Uashington, duhet përmbushur dhe se njohja me Izraelin është shumë e rëndësishme për Kosovën. Në këtë mënyrë duhet të përpiqemi që të pengojmë një reagim që do të kishte pasoja të tepërta midis dy vendeve”, theksoi Spahiu.

Ai shtoi se në rast se Kosova vendos Ambasadën në Jerusalem, do të ketë reagime edhe nga shtetet nga bota islame dhe nga Konferenca Islamike, por sipas tij, reagimet e tilla më shumë do të jenë në aspektin e qortimit për një veprim të tillë sesa që do të ketë veprime konkrete kundër shtetit të Kosovës.

E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael është Ines Demiri, e cila më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.

Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.

Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.

Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021