fbpx
Lidhu me Ne!

Beba Ime

Lehonat në pritje të 250 eurove

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në plan programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, ka premtuar se për nënat e papuna, do të paguajnë pagën minimale prej 250 eurosh, për 6 muajt e pushimit të lehonisë.

Publikuar

Për Kaltrina Berishën, e cila është bërë nënë për herë të dytë, premtimi i Qeverisë së Kosovë se do të paguajë nënat lehona të papuna, me 250 euro për gjashtë muaj radhazi, është një nga gjërat më të mira në planet e qeverisë.

“Pasi kam mbetur shtatzënë, unë nuk kam punuar më. Kam lindur vajzën, ajo ka tre muaj. Ajo se çfarë po thotë kryeministri (Albin Kurti) në plan program, është shumë e mirë për mua si nënë. Kjo do t’i ndihmonte lehonat shumë, së paku nuk do ta kemi edhe stresin financiar”, thotë ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në plan programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, ka premtuar se për nënat e papuna, do të paguajnë pagën minimale prej 250 eurosh, për 6 muajt e pushimit të lehonisë.

Po ashtu, ai ka thënë se do të ndryshojë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi.

Me Ligjin e punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Sa është i realizueshëm premtimi?

Çështja kryesore mbetet se kur do të fillojë të realizohet një plan i tillë, si do të zbatohet dhe ku janë paratë? Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por ata nuk janë përgjigjur.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, që nga viti 2014, Kosova ka regjistruar rënie të natalitetit për çdo vit. Në vitin 2014, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25.929. Në vitin 2019, janë regjistruar 21.798, ndërkaq vitin e kaluar kanë qenë vetëm 18.188 lindje.

Nëse merren të dhënat e vitit 2020, i bie që qeveria e Kosovës përafërsisht për gjashtë muaj, duhet të ndajë nga buxheti i shtetit mbi 27 milionë euro. Buxheti i Kosovës për vitin 2021, është i paraparë të jetë mbi 2.4 miliardë euro.

Sipas, të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit te gratë është vetëm 14 për qind.

Numri i grave në moshë pune, është mbi 600 mijë, derisa të punësuara nga ky numër janë vetëm 85.601 gra. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor.

Mujku: Vendimi i qeverisë mund të rritë natalitetin

Vebi Mujku, udhëheqës i Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se dhënia e këtyre mjeteve për nënat lehonë të papunësuara do të rriste natalitetin.

“Është e rëndësishme për të ardhmen e vendit në përgjithësi, pasi që nataliteti është në rënie e sipër dhe të gjitha nënat që nuk punojnë dhe kanë mundësi që për gjashtë muaj të marrin një shumë prej 250 euro, kjo do t’i stimulojë edhe në rritjen e natalitetit, por kjo shumë do të ndihmonte edhe në kujdesin dhe mirëqenien e fëmijëve”, thotë ai.

Plan i mirë por kur fillon pagesa?

Me mbështetje për lehonat dhe të tjerat çështje sociale që përfshihen në këtë program të qeverisë, kryeministri Kurti ka thënë se do ta nxjerrin shoqërinë nga varfëria dhe do të sjellin më shumë barazi shoqërore dhe gjinore.

Megjithatë, Kaltrina Berisha, nënë e dy fëmijëve, dyshon se kjo do të fillojë të realizohet shpejt. Ajo nuk pret se mund të jetë përfituese e kësaj ndihme shtetërore.

“Sot thuhet mund të realizohet pas disa viteve”, thotë ajo.

Në familjen Berisha punon bashkëshorti i Kaltrinës dhe siç thotë ajo, të ardhurat mujore janë të vogla, por, mundohen t’i menaxhojnë sa më mirë duke iu ikur gjërave të luksit dhe blerë vetëm gjërat e nevojshme për jetë.

“Me ato para në rast se do të m’i jepte shteti, normal që do t’i mbuloja shpenzimet për beben, qumështin gjëra për fëmije, çfarëdo që i duhet. Do të ishte një ndihmë e madhe, nuk janë pak 250 euro në muaj. Sinqerisht do të më ndihmonin shumë, edhe burri im nuk do të kishte një barrë kaq te madhe të mjeteve”, thotë ajo.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021