Sport
Legjionarët, me nota pozitive/ Kastrati, Ramadani, Balliu, Laçi dhe Asani minuta të plota

Lojtarët e kombëtares së Shqipërisë vijojnë të bëjnë mirë në skuadrat e tyre, teksa pjesa më e madhe ishin titullar dhe në klubet e tyre. Nedim Bajrami, Ylber Ramadani, Marvin Çuni në Serie A, Elhan Kastrati në Serie B, Ivan Balliu në La Ligan spanjolle, Mario Mitaj në elitën e futbollit rus, Qazim Laçi në Çeki, Jasir Asani në Korenë e Jugut, Arbnor Muja në Belgjikë, Sokol Cikalleshi në Turqi, Taulant Seferi në Emiratet Arabe dhe Ernest Muçi në Poloni luajtën nga minuta e parë në ndeshjet respektive.
Kristian Asllani u aktivizua në pjesën e dytë në të 75-ën në ndeshjen mes Interit dhe Romës, me mesfushorin kuqezi që ishte protagonist në nisjen e aksionit të të golit të vetëm të sfidës, duke marrë një vlerësim shumë pozitiv.
Në Gjermani e nisi si titullar dhe Klaus Gjasula me Darmstadt, por mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 21-të në takimin me Bayern. Pa minuta e mbyllën fundjavën Tomas Strakosha në Angli, Enea Mihaj në Portugali dhe Frederik Veseli në Turqi.
Lexo edhe:
Rey Manaj u rikthye të goli me Siviassporin në Turqi, me sulmuesin që i dha fitoren ekipit të tij në minutën e fundit të ndeshjes, duke ndëshkuar për herë të dytë Alanyaspor. Në Kroaci Indrit Tuci ka marrë rolin e liderit tek skuadra e Lokomotivës, teksa të dielën ndëshkoi Dinamo Zagreb që në fillimin e lojës, me një gol mjaft të bukur.
Po vijon me ritme pozitive edhe Odise Roshi, i cili në takimin Altay – Sakaryaspor dha një asist në suksesin 1-2 të skuadrës së tij. Për shkak kartonësh këtë fundjavë nuk luajti Keidi Bare, ndërkohë që vijojnë të jenë të dëmtuar Mirlind Daku dhe Armando Broja.
