fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

LDK pa qëndrim!

Publikuar

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim të prerë se si do të veproj me rastin e zgjedhjes së presidentit të vendit. Këtë e konfirmoj për Radion Evropa e Lirë Arben Gashi, anëtarë i kryesisë së LDK-së. “Ende nuk ka një vendim dhe nuk mund të them asgjë”, tha ai. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi të premtën se Kuvendi i Kosovës do të kryej edhe hapin e tretë për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

I pyetur nga gazetarë pse gjatë kësaj jave nuk është thirrur seanca për zgjedhjen e presidenti, Kurti ka deklaruar se edhe kjo çështje do të kryhet. Menjëherë pasi mori besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë se re të Kosovës, kryeministri, Kurti, pati deklaruar se brenda javës do të zgjidhet edhe presidentja e re e Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve, të cilët u emëruan në poste qeveritare. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e bëri zëvendësimin më 24 mars.

Kandidate për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje duke fituar mbi 300 mijë vota. Mirëpo, deri më tash nuk dihet ende nëse janë siguruar votat apo edhe kuorumi në kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as qeverinë Kurti 2. Pak ditë më parë, kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një takimi që ka zhvilluar [të mërkurën] me Vjosa Osmanin, ka deklaruar se subjektit të tij politik i duhet ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar. Analisti dhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se angazhimi i partive politike për zgjidhjen e presidentes/it duhet të orientohet në brendësi të vlerave politike, shumë më shumë se sa arsyet ose efektet e tjera që mund të prodhojmë mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.

“Krizat institucionale e partiake që ka kaluar Kosova në vitet e fundit, tash edhe pandemia COVID-19, prioritetet që presin adresim institucional i bëjnë të domosdoshme dhe të nevojshme veprimet politike për tejkalimin e udhëkryqit mes funksionalitetit dhe jo funksionalitetit të demokracisë kosovare”, tha Kryeziu. Sipas Kryeziut, partitë politike s’janë të themeluara vetëm për pjesëmarrje në zgjedhje, por siç thotë ai, për marrje të përgjegjësisë politike konform vullnetit qytetarë të shprehur në zgjedhje.

“Të gjitha subjektet politike parlamentare kanë përgjegjësi të ofrojnë vlerat e tyre drejt një konsensusi politik dhe të shmangin konfrontimet partiake e individuale, të cilat s’po mund ta nxjerrin shtetin e Kosovës nga ky cikël i zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Sikurse të jenë zgjedhjet qëllimi politik dhe jo marrja e përgjegjësive dhe kontributi politika e programor në udhëheqjen e vendit”, deklaroi Kryeziu.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës. Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës prej 120 deputetësh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 votash, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021