fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

LDK duhet të këtë qasje me serioze dhe nuk i duhet një kuvend sa për të larë vetën udhëheqja e partisë

Publikuar

Njohësit e rrethanave brenda LDK dhe analistet politik duke komentuar caktimin e datës për mbajtjen e Kuvendit të LDK, kanë thënë të enjten për Tipografin se kanë pritur një qasje më serioze dhe largpamëse të LDK-së në të gjitha nivelet, pas rezultatit shumë të keq në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 14 shkurtit si dhe presin që ky Kuvend të jetë një Kuvend sa për të larë vetën udhëheqja e partisë, por jo i atillë që do të mund të nxjerr një kryetar dhe kryesi stabile, që do ta këndellte partinë brenda një kohe jo të gjatë.

LDK të enjten, në mbledhjen e Kryesisë së saj ka vendosur që 14 marsi të jetë dita kur do të mbahet kuvendi zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri. Zgjedhjet për kryetar, vijnë pasi që kryetari aktual Isa Mustafa ka paralajmëruar dorëheqjen, të cilën do ta paraqes në Kuvendin zgjedhor

Ish këshilltari i kryeministrit në detyre, Xhavit Beqiri ka thënë për Tipografin se ka pritur një qasje më serioze dhe largpamëse të LDK-së në të gjitha nivelet, pas rezultatit shumë të keq në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 14 shkurtit.

“Ideja për të mbajtur një mbledhje të Kuvendit të LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, pa u mbajtur paraprakisht zgjedhjet në të gjitha hallkat e partisë më duket si logjikë struci – fut kokën nën dhe për të mos e parë rrënimin e madh që ka ndodhur jashtë”, ka thënë Beqiri.

Beqiri madje vlerëson se ngutia për të zgjedhur një kryetar të ri vetëm sa mund ta thellojë edhe më tepër hendekun e madh në mes kryesisë dhe anëtarësisë, e cila, thënë më së buti, ka akumuluar mllef e pakënaqësi të skajshme ndaj kësaj kryesie.

“Prandaj, nga kryetari i ri pres që të rikthehet në zanafillën e idesë së krijimit të LDK-së, të jetë mendjehapur dhe bashkëpunuese me secilin që është dhe ndihet LDK. E pamë ku na solli logjika e mbylljes dhe e politikave të inatit. LDK-ja ka nevojë urgjente për një prijës të urtë e të dijshëm, jo për kryetar teknokrat dhe pa ide”, ka thënë ai për Tipografin.

Po të vendosja unë thotë Beqiri, gjithsesi këtë detyrë do t’ia besoja një personaliteti me dinjitet.

“Do t’ia besoja  një intelektuali dhe rugovisti konsistent. Assesi ndokujt që në LDK ka pikur si me parashutë, apo që nuk ka ekspertizë të shquar akademike”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq për analistin politik, Imer Mushkolaj, Kuvendi i LDK-së nuk do të prodhojë një kryetar që do ta dëshironte pjesa më e madhe e anëtarësisë së partisë.

“Pres të jetë një kuvend sa për të larë veten udhëheqja e partisë për shkak të humbjes së madhe në zgjedhje, por jo i atillë që do të mund të nxjerr një kryetar dhe kryesi stabile, që do ta këndellte partinë brenda një kohe jo të gjatë,” ka thënë Mushkolaj për Tipografin.

LDK-së sipas tij i nevojiten zgjedhje të lira, fer dhe transperente në të gjitha strukturat, e jo improvizime çfarë duket se do të jetë kuvendi i 14 marsit.

Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që kryetari i ri i partisë të zgjedhet me një marrëveshje paraprake ndërmjet njerëzve të rëndësishëm të LDK-së.

“Për të pasur një kuvend fer dhe demokratik së pari duhet ndryshuar statuti jodemokratik i partisë. Çdo përpjekje e “gardës së vjetër” të partisë për të pasur sa më shumë ndikim në zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë nuk është e shëndetshme për partinë. “Garda e vjetër” duhet të marrë përgjegjësinë për debaklin dhe të krijojë ambient për garë fer dhe korrekte”, ka thënë ai për Tipografin.

Mushkolaj thotë së nuk beson se kuvendi do të prodhojë ndonjë zgjidhje përtej zgjedhjes së Lutfi Hazirit ose Arban Abrashit kryetar, si një kompromis brenda partiak, pavarësisht se të dy këta mbajnë pjesën e vet të madhe të përgjegjësisë për katandisjen e partisë.

“Po ashtu, aq i rëndësishëm sa fakti se kush do të jetë kryetar i partisë është edhe pozicionimi tash e tutje në strukturat partiake i njerëzve të rëndësishëm të LDK-së, atyre rreth Isa Mustafës, siç është Agim Veliu. LDK është parti e kapur nga kreu i saj dhe nuk do ta ketë të lehtë të frymojë lirshëm”, ka thënë Mushkolaj.

Ndryshe, deri me tash zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka shpallur, Anton Quni, nderkohë nepër medie janë përfolur edhe emrat e Kujtim Shalës, Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut./Tipografi/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021