fbpx
Lidhu me Ne!

OP/ED

Ky komb na kërkon të veprojmë dhe të veprojmë tani

Publikuar

…te jesh i lumtur është diçka që nuk varet vetëm nga paratë që ke, lumturia qëndron në gëzimin e arritjeve dhe në emocionet që të sjellin përpjekjet krijuese. Gëzimi dhe stimujt moralë të punës nuk duhen harruar më gjatë në rendjen e çmendur pas fitimeve kalimtare.

Në këto ditë të errëta do na vlenin, pavarësisht nga çmimi që do na duhet të paguajmë, nëse ato do shërbejnë për të na mësuar që fati ynë nuk është t’u shërbejmë të tjerëve, por t’i shërbejmë vetes tonë dhe bashkëqytetarëve tanë…Ky komb na kërkon të veprojmë dhe të veprojmë tani!

Detyra e jonë e parë e më e madhe është t’i vëmë njerëzit në punë. Dhe ky nuk është një problem i pazgjidhshëm, po që se e përballojmë me urtësi e me guxim. Ai mund të shoqërohet pjesërisht me rekrutimin e tyre nga qeveria, duke e trajtuar këtë detyrë si cdo të trajtonim një gjendje lufte, por, në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij punësimi, të zbatojmë edhe projektet e tjera më të nevojshme për të nxitur e për të riorganizuar përdorimin e burimeve tona kombëtare.

Dora dorës me këtë, ne duhet të pranojmë haptazi mbipopullimin e qendrave tona industriale dhe, duke ndërmarrë një rishpërndarje të popullsisë në shkallë kombëtare, të përpiqemi për një përdorim më të mirë të tokës nga ata që janë më të përshtatshëm për këtë punë. Për ta kryer këtë detyrë mund të shërbejnë përpjekjet për të rritur vlerën e prodhimeve bujqësore dhe me këtë, atë të fuqisë blerëse për prodhimin e qyteteve tona.

Kjo mund të ndihmohet duke parandaluar në kohë tragjedinë e humbjes në rritje të shtëpive e fermave tona të vogla të vëna në hipotekë, për shkak të mospagimit të kredive. Kjo mund të ndihmohet me ngulmimin që qeveria federale, qeverisjet e shteteve të veçanta dhe ato të vendore të veprojnë menjëherë ndaj kërkueses që kostoja e tyre të ulet në mënyrë drastike. Kjo mund të ndihmohet duke unifikuar veprimtaritë në ndihmë të njerëzve, të cilat sot janë shpesh të hapërdara, jo ekonomike dhe të pabarabarta.

Kjo mund të ndihmohet nëpërmjet një planifikimi dhe një mbikëqyrjeje në nivel kombëtar të të gjitha formave të transportit e të komunikacionit dhe të shërbimeve të tjera që kanë një karakter të qartë publik. Ka shumë mënyra me të cilat mund të ndihmohet kryerja e kësaj detyre, gjë që s’mund të ndodhë kurrsesi vetëm duke folur për të. Na duhet të veprojmë dhe të veprojmë shpejt.

Më në fund, në përparimin tonë drejt një rinisje të punës , ne kemi nëvojë për masa mbrojtëse kundër rikthimit të të këqijave të rendit të vjetër: Nevojitet një mbikëqyrje e rreptë e gjithë veprimtarisë bankare, e kredive dhe investimeve, dhe i duhet dhënë fund spekulimeve me paratë e të tjerëve, ndaj dhe duhen marrë masa për të pasur një monedhë të mjaftueshme, por të shëndetshme.

Këto janë drejtimet ku duhet të sulmojmë. Së shpejti unë do të kërkoj nga Kongresi i ri një sesion të posaçëm për të marrë masa të hollësishme për realizimin e këtyre synimeve dhe do të kërkoj ndihmën e menjëhershme të shteteve të veçanta.

Ditët e vështira që kem përpara, ne do t’i përballojmë me guximin e zjarrtë të unitetit kombëtar, me vetëdijen e qartë se jemi në kërkim të vlerave të dikurshme e të çmuara morale, me kënaqësinë e kulluar që të sjell kryerja e përpiktë e detyrës nga të moshuarit e nga të rinjtë. Ne kemi për qëllim të garantojmë një jetë kombëtare të qetë.

Franklin D. Roosevelt – ish president i SHBA-së

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021