fbpx
Lidhu me Ne!

Tipografi

Kurti: Opozita do të votoj Osmanin për presidente

Publikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve, të cilët u emëruan në poste qeveritare. Duke folur para mediave, Kurti, u shpreh i bindur se do t’i kenë votat e mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes.

Kurti tha se për këtë pozitë, Osmanin e ka legjitimuar populli duke ia dhënë më shumë se 300 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Besoj se porsa të bëhet zëvendësimi i deputetëve, që u bënë ministra ose zëvendëskryeministra dhe iu bashkuan kabinetit qeveritar, do të mund të thërrasim një seancë të radhës në të cilën padyshim e sigurt, atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, tha Kurti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë një mbledhje gjatë së mërkurës në të cilën do të vendosë për zëvendësimin e deputetëve, të cilët u emëruan në pozita ekzekutive. Përmes një komunikate për media, shtetet e Quintit, të martën, i bënë thirrje spektrit politik që të tregojë konstruktivitet në zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Shtetet e Quint-it thonë se detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Aktualisht është e paqartë nëse do të sigurohen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes, për shkak se ajo nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit. Partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur përkrahjen e tyre për Osmanin. Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.  Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021