Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë të shtunë se ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithë popullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës.
“Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm”, ka thënë Kurti.
Kurti ka diskutuar me përfaqësuesit e qendrave të lëvizjes lidhur me domosdoshmërinë e ndryshimit të ligjit për zgjedhje, ndryshim ky i cili do t’ua mundësonte qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit, votimin në ambasada e konsulata.
Kjo veçanërisht marrë parasysh pengesat e mëdha të cilat po ua pamundësojnë shumë qytetarëve realizimin e një të drejte themeltare demokratike, atë të votimit.
Sipas LVV-së, në këtë mbledhje, Kurti njoftoi përfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes me rrjedhën e kompletimit të formimit të institucioneve shtetërore në këtë fazë dhe masat e nevojshme e të menjëhershme të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit COVID 19, fokusin e qeverisjes tonë për rimëkëmbjen ekonomike të nevojshme në këtë kohë krize ekonomike, si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat na presin në vjeshtën e këtij viti.