fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kurti e quan prillin, muaj të masakrave dhe të kujtimit

Prilli vazhdon të jetë muaj i përkujtimeve të masakrave, krimeve e gjenocidit që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Publikuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varret e dëshmorëve të Prishtinës, në Velani.

“Dëshmorët e kombit e bashkojnë popullin”, tha kryeministri Kurti në shënim të kësaj Dite, duke thënë se sot bënë nderime të varret e dëshmorëve të kryeqytetit, të cilët luftuan për liri dhe ranë heroikisht që të ngritet edhe kauza jonë, e më pas të vijnë çlirimi, liria dhe pavarësia.

“Andaj në kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata, t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot, por në të njëjtën kohë edhe për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre që të vazhdojmë për progres, për barazi, e mirëqenie që nuk e përjashton asnjërin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Prilli – muaji i masakrave dhe i kujtimit

Sot në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, kur shënojmë edhe Betejën e Marecit, nderuam gjithë të rënët në Komunën e Prishtinës, bashkë me Presidenten e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.

Prilli vazhdon të jetë muaj i përkujtimeve të masakrave, krimeve e gjenocidit që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit. Këto masakra janë vazhdimësia e tragjedisë së përjetuar nga populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës. Janë gjaku ynë që nuk falet. Dhimbja që nuk ndalet.

Këto ditë, që nga fundjava e kaluar, kujtuam Kaçanikun legjendar, ku ushtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullatës civile u përballën me forcat ushtarake e policore të Serbisë në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re. Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku u zgjua i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në mbrojtje të popullatës civile në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, ranë dëshmorë 28 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë datë, nderojmë edhe 32 viktima të luftës të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re.

Këtë javë gjithashtu përkujtuam Lugishtën e Hasit. Lugishta është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës në vend. Në pranverë të vitit 1999, forcat serbe vranë më shumë se 50 banorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, derisa pjesën tjetër e largoi dhunshëm. Lugishta me 12 prill kujtoi 8 dëshmorët dhe 47 martirët e vet. Lugishta ishte gjithashtu rrugë, nëpër të cilën kaluan shumë ushtarë të UÇK-së për të bartë armatimin nga Shqipëria në Kosovë.

Përkujtuam edhe masakrën e rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë të 14 prillit, e cila është njëra ndër masakrat më të mëdha në komunën e Mitrovicës. Në këtë masakër, nga kriminelët serbë janë të vrarë 31 shqiptarë.

Me 15 prill përkujtuam masakrën në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, si dhe masakrën e Sllovisë në Lipjan. U bënë 22 vjet që kur u vranë 23 civilë të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ndërkaq një person mbetet akoma i pagjetur nga kjo lagje. Ndërsa Sllovia përkujtoi masakrën e dhunës serbe që vrau 45 civilë shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë. Afër 100 shtëpi shqiptare u dogjën në Sllovi dhe pas dëbimit të banorëve, ushtria serbe shkatërroi gjithë çka pati përpara.

Ndërkaq dje u bënë 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe nga masakra në Çikatovë të Vjetër ku ushtria serbe ka vrarë dhe masakruar 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Në këto masakra u vranë foshnje e pleq, pa mëshirë. Në përjekje të asgjësimit të gjurmëve të krimit, forcat serbe i dogjën kufomat e viktimave të Masakrës së Poklekut, ndërsa kufomat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i morën dhe i zhdukën duke i dërguar në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Përkujtimet sot i vazhdojmë me masakrën në Dyz të Podujevës, Ribar të Vogël të Lipjanit dhe Marec të Prishtinës. Në Dyz u vranë 70 civilë të pafajshëm. Forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 19 civilë nga fshati Ribar i Vogël dhe 6 civilë nga fshati Blinajë (Vershevcë).

Gjithë këto jetë të humbura, janë çmimi i paguar për lirinë e pavarësinë e që duhet t’i gëzojnë të gjithë pa dallim. Ne sot përkulemi para familjeve dhe dhimbjes që ato kanë, me premtimin se do të bëjmë krejt çka mundemi e dijmë për të adresuar nevojat e tyre.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021