fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kryetari i ri i LDK-së – qindra anëtarë mblidhen në një sallë të mbyllur në pikun e pandemisë

Publikuar

Lidhja Demokratike e Kosovës, të dielën me fillim nga ora 10:00, në njërin nga hotelet e Prishtinës, do të organizojë zgjedhjet për kryetarin e ri të këtij subjekti, që do ta pasojë Isa Mustafën. Ky i fundit i ka thënë Gazetës Express se janë në komunikim me institucionet shëndetësore për mënyrën e organizimit, duke ditur se ndalohet tubimi i shumë personave, shkaku i pandemisë. Sekretari i LDK-së, Arban Abrashi ndërkaq, thotë se autoritetet u kanë dhënë leje që organizimi të mbahet në ambient të mbyllur, siç kishte ndodhur gjithmonë.

Ligji ua ndalon më shumë se 80 personave që të mblidhen në tubime publike, si masë preventive ndaj përhapjes së COVID 19. Mirëpo, një vendim i tillë që është thyer çdo ditë nga subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore, mund të mos zbatohet as të dielën, kur qindra persona pritet të votojnë për kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë ditë, 355 delegatë sa janë gjithsej sipas statutit, por, që me largimet e fundit po raportohet se ky numër ka rënë në 335, do të mblidhen në ora 10:00 në njërin nga hotelet e Prishtinës, për të marrë vendim se kush do t’i udhëheqë për dy vitet e ardhshme.

Ka tashmë disa vite që është bërë traditë që ky organizim të bëhet në njërin nga hotelet e Prishtinës, ku pastaj prezantohen kandidati apo kandidatët dhe kryhet procesi i votimit.

Megjithatë, këtë vit me pandeminë COVID 19 dhe vendimet e institucioneve shëndetësore ku ndalohen tubimet e më shumë se 80 personave takimi i të gjithë delegatëve e anëtarëve të tjerë mund të jetë i dënueshëm me ligjin aktual.

Janw kontaktuar  zyrtarë të Lidhjes Demokratike për t’i pyetur për mënyrën se si e kanë paraparë që të kryhet procesi i votimit, duke mos thyer masat.

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se janë në komunikim me autoritetet shëndetësore për të diskutuar për lejen e mundësinë e organizimit, transmeton T7.

Ai ka bërë me dije se me këtë çështje është duke u marrë Arban Abrashi, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike.

Abrashi i ka thënë se kanë marrë leje nga autoritetet shëndetësore që të mbajnë këtë mbledhje, duke shtuar se në sallën ku është paraparë që të mblidhen do të respektojnë të gjitha masat Anti Covid, përfshirë këtu edhe distancën.

Në statutin e LDK-së, thuhet se Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbëhet nga 355 anëtarë, që vijnë nga 38 degë të ndryshme nëpër Kosovë. Megjithatë, me largimet e fundit pas përjashtimit të Vjosa Osmanit janë larguar edhe disa delegatë, e zyrtarë të partisë thonë se kanë mbetur 335 delegatë gjithsej që do të votojnë të dielën.

Në vitin 2019-të, LDK-ja kishte mbajtur Kuvendin e 9-të zgjedhor, derisa Isa Mustafa ishte zgjedhur në krye të këtij subjekti për herë të tretë, pasi që paraprakisht delegatët nuk kishin votuar që Fatmir Sejdiu të ishte kundërkandidat i tij.

Në kuvendin e 9-të zgjedhor ai kishte marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve. Procesi i Kuvendit Zgjedhor ndërkaq ishte mbajtur me dyer të mbyllura për publikun, derisa Mustafa u emërua kryetar duke u zgjedhur me aklamacion.

Edhe në Kuvendin Zgjedhor të 10-tin me radhë që do të mbahet të dielën është kërkuar në vazhdimësi që të ketë votim të fshehtë. Këtë kërkesë e ka përsëritur mbrëmë edhe kandidati për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Saktësisht një muaj pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 14 shkurtit që e radhitën Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti të tretë, me rezultatin më të dobët në historinë e këtij subjekti politik, Isa Mustafa do të lirojë edhe zyrtarisht karrigen e kryetarit që e mbajti për mbi një dekadë.

Tashmë disa pretendentë për karrigen më të rëndësishme të partisë veçse kanë shpallur kandidaturat.

Mirëpo, për të dalë para delegatëve të LDK-së në mënyrë që të votohesh për t’u bërë prijës i tyre nuk është aq e lehtë. Hiç më larg se në Kuvendin e fundit, Fatmir Sejdiu kishte dështuar të  marrë votat e gjysmës së delegatëve në mënyrë që t’i aprovohet kandidatura për kryetar të partisë. Të njëjtin fat e kishte pasur vite më parë edhe Vjosa Osmani.

Sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ditën që vendoset se do të emërohen strukturat e reja të subjektit, mblidhen në Kuvend zgjedhor delegatët e partisë.

Vazhdo më shumë