fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kryeministri Kurti: Ndër vendimet më të rëndësishme që morëm ishte emërimi i Bordit të ri Drejtues të Telekomit të Kosovës

Publikuar

Kryeministi Albin Kurti përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur vendimet më të rëndësishme të marra sot në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ndër vendimet më të rëndësishme që morëm ishte emërimi i Bordit të ri Drejtues të Telekomit të Kosovës. Ne besojmë që kjo ndërmarrje ka potencial për t’u zhvilluar shumë përtej nivelit të saj aktual. Si Qeveri do t’ia ofrojmë bordit të ri përkrahjen që ta jetësojë këtë potencial, por njëkohësisht, si aksionar, do të përforcojmë monitorimin dhe llogaridhënien në këtë ndërmarrje”.

“Gjithashtu, kemi themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “Për Mobilitetin në Punë” e nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje garanton se shtetasit e Shqipërisë lirshëm dhe pa pengesa burokratike do të mund të punojnë në Kosovë, e po ashtu se procedurat e leje qëndrimit për kategoritë e caktuara do të liberalizohen. Kosovarët tashmë gëzojnë këto të drejta në Shqipëri”.

Po ashtu, kryeministi Kurti përmendi edhe miratimin e pakos prej 20 milionë euro për mbështetje të qytetarëve, bizneseve, dhe atyre që janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë.

“Përveç këtyre dy vendimeve, miratuam edhe një pako prej 20 milionë euro për mbështetje të qytetarëve, bizneseve, dhe atyre që janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. 8.5 milionë euro shtesë u ndanë për të siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro; 30% shtesë për familjet që marrin ndihmë sociale; 6 milionë euro janë ndarë për të mbështetur pagat e mijëra punëtorëve dhe për ta zbutur barrën e qirasë për sektorët që janë goditur nga pandemia; ndërsa, 5.2 milionë euro janë deleguar për të mbështetur personelin shëndetësor që çdo ditë përkujdesen për familjarët tanë të sëmurë, dhe për policët që duke ruajtur rendin e ligjin, na e ruajnë shëndetin”.

Po ashtu, i njëjti bëri të ditur se në fund, u miratua propozim vendimi për marrjen e autorizimit nga Presidentja e vendit, për lidhjen e marrëveshjes për financimin dhe zbatimin e projektit HERAS plus/ Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat Aplikative, ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovaconit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA. Projekti HERAS plus do ta mbështesë MASHTI-n, në politikat për arsim të lartë, hulumtim dhe inovacion, Agjencinë e Kosovës për Akreditim si dhe institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë.