fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kryediplomati turk në Tiranë këmbëngul sërish për luftën ndaj gylenistëve

Publikuar

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, përmendi sot gjatë vizitës së tij në Tiranë atë që e quajti “pastrim i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Në deklaratën pas takimit të tij me homologun shqiptar Igli Hasani, kreu i diplomacisë turke u shpreh se kishte vënë në dukje “ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”.

Prej disa vitesh, thuajse të gjithë zyrtarët e lartë turq që kanë vizituar Tiranën, i kanë kërkuar autoriteteve shqiptare që të mos lejojnë që të ashtuquajturit gylenistë, të mund të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në Shqipëri.

Dy vjet më parë Presidenti Tayiip Erdogan paralajmëroi se kjo çështje do të ishte përcaktuese në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas Turqisë anëtarë të organizatës FETO veprojnë në fusha të ndryshme në Shqipëri, përfshirë dhe drejtimin e Komunitetit musliman shqiptar. Një element i cili ka bërë që të mbetet pezull dhe inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Autoritetet shqiptar i janë përmbajtur publikisht qëndrimit se ata e trajtojnë këtë rast në përputhje me kushtetutën dhe ligjin shqiptar, si dhe në respekt të detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin europian.

Përtej kësaj çështjeje, marrëdhëniet mes dy vendeve u vlerësuan sot nga të dyja palët, të jenë të një niveli mjaft të ngushtë. Edhe vetë fakti që Shqipëria ështe vendi i parë i një turi që parashikon vizita të ministrit të Jashtëm turk dhe në Rumani e Bullgari, shihet si një shenjë e rëndësisë që Ankaraja i jep raporteve me Tiranën. Nga ana tjetër, kryeministri Rama, njihet për raportin e tij të ngushtë me presidentin Erdogan, i cili ka qenë shpesh në qendër të kritikave për metodat e tij autoritariste në udhëheqjen e vendit të tij.

Të dy vendet nënshkruan në janar të vitit 2021 Deklaratën e Partneritetit Strategjik, ndërsa marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve, shtrihen në një reze të gjerë fushash të ndryshme, nga teknologjia, te transporti, energjia, mbrojtja, shëndetësia, turizmi, arsimi, mjedisi si dhe kultura. Turqia, siç vuri në dukje dhe ministri i Jashtëm shqiptar Hasani është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri “me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në vendin tonë”.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook