fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kriptorrëmujë në Kosovë: Ligji ende i papërfunduar

Publikuar

Ka dy vjet e gjysmë që Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji që do të rregullonte fushën e monedhave virtuale – të njohura si kriptovaluta – por ende pa sukses.

Zyrtarë të partisë në pushtet pranojnë se ka pasur vonesa, por thonë se drafti i ligjit është drejt përfundimit.

Ata të opozitës pretendojnë se ligji, thjesht, është neglizhuar.

Nga viti 2022, kur Kosova është përballur me krizë energjetike, Qeveria e ka ndaluar mihjen e kriptovalutave, meqë procesi shpenzon shumë rrymë.

Por, autoritetet e rendit raportojnë vazhdimisht për konfiskim të pajisjeve që përdoren për prodhimin e tyre.

Analistët e tregut e përshkruajnë si “kaotik” tregun e kriptovalutave në vend.

Pamje nga aksioni i Policisë dhe i Doganave të Kosovës në Leposaviq, muaj më parë, ku u konfiskuan pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Çka janë kriptovalutat?

Kriptovalutat janë para digjitale. Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Ato mund të përdoren, pastaj, për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.

Në botë ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.

Evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë, nuk ka.

Këtë gjë pritet ta rregullojë ligji. Por, besohet se ato kanë arritur në vend së paku nga viti 2017.

Kriptovalutat Bitcoin dhe Ethereum.

Kriptovalutat Bitcoin dhe Ethereum.

Çka do të përfshijë ligji?

Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji të kriptovalutave në verë të vitit 2021.

Në krye të grupit punues për këtë ligj është vënë Mimoza Kusari Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet.

Atëkohë, ajo ka thënë se me ligj nuk synohet të ndalohet veprimtaria me monedhat digjitale, por se të futet nën kontroll, duke i verifikuar pajisjet e importuara për prodhimin e tyre, veprimtarinë e transaksioneve dhe formën e tatimit.

Kjo ide, sipas saj, ka lindur pas shqetësimeve për rritje të konsumimit të rrymës në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës, si dhe me qëllim që të parandalohet krimi i organizuar dhe veprimtaritë jolegale me kriptovaluta.

Radio Evropa e Lirë e kontaktoi Kusari Lilën në lidhje me arsyet e mosmiratimit të ligjit deri më tash, por ajo nuk u përgjigj, duke thënë se “aktualisht ndodhet jashtë vendit”.

Pse nuk ka ende ligj?

Jeta Statovci e Lëvizjes Vetëvendosje – njëherësh nënkryetare e Komisionit parlamentar për Industri, Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili është marrë me këtë nismë – thotë se drafti i ligjit është pothuajse gati.

“Rreth 90 për qind i përfunduar”, sipas saj.

Statovci thotë se vonesat deri më tash kanë ndodhur për shkak se Komisioni Evropian “ka dërguar dy këshilltarë për të trajtuar brenda këtij projektligji edhe dimensionin e shpëlarjes së parave” si dhe “përshtatshmërinë me praktikat e mira”.

“Esenca ka qenë që të ecim me hapa të barabartë, që këto dy dokumente të ishin në harmoni”, thotë Statovci për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se materiali do të përcillet në Qeverinë e Kosovës për vlerësim, sapo të kthehet nga udhëtimi Kusari Lila, por nuk saktëson se kur mund të jetë kjo kohë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Industri, Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, thotë se arsyet e vonesave “mund t’i dijë vetëm partia në pushtet”.

“… por, nga ajo që dihet, është thjesht një neglizhencë dhe paaftësi organizative dhe menaxhuese e shumicës parlamentare për ta ndërtuar strukturën bazike të ligjit substancial”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Pasojat dhe përfitimet

REL-i iu drejtua edhe dy dikastereve qeveritare, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me pyetje për pasojat që i shkakton mungesa e një ligji që rregullon veprimtarinë e kriptovalutave, si dhe për përfitimet që do t’i sillte një masë e tillë. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Javën e kaluar, policia e Kosovës njoftoi se ka gjetur dhe konfiskuar 59 makina për mihjen e kriptovalutave në Mitrovicë të Veriut.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, policia tha se në aksionet për konfiskimin e pajisjeve për kriptovaluta, ajo e asiston Doganën e Kosovës, e cila i trajton rastet e tilla.

Pajisje për prodhim të kriptovalutave që janë konfiskuar prej Policisë së Kosovës në të kaluarën.

Pajisje për prodhim të kriptovalutave që janë konfiskuar prej Policisë së Kosovës në të kaluarën.

Sipas të dhënave që siguroi REL-i nga Dogana, ky institucion gjatë vitit 2023 ka sekuestruar, mes tjerash, 383 pajisje për prodhim të kriptovalutave, 288 pajisje për konvertim të energjisë elektrike, 435 kartela grafike, 20 pllaka memorieje, 1 laptop dhe 72 pajisje të tjera për kriptovaluta – vlera e përgjithshme e të cilave ishte mbi 254 mijë euro.

Ndërsa, gjatë vitit 2022, vlera e pajisjeve për mihje kriptovalutash, të sekuestruara nga Dogana, ishte mbi 170 mijë euro.

REL-i kontaktoi edhe Administratën Tatimore të Kosovës, për të marrë informacion nëse ka persona që përfitojnë nga kriptovalutat dhe paguajnë tatim, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm nuk u përgjigj as Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka për objektiv një sistem efikas të pagesave.

Situatë “kaotike”

Sipas deputetit Shala, dëmet nga mungesa e ligjit për kriptovaluta janë “të pallogaritshme”.

“Ne e dimë që ekzistojnë, por nuk e dimë as kush sa paguan, sa prodhon, sa obligime i ka ndaj shtetit…”, thotë ai.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Për t’i pranuar të parët materialet në emailin tuaj, regjistrohuni këtu.

Deputetja Statovci pajtohet se me ligj do të përfitonin edhe bizneset, edhe shteti.

Sipas saj, do të vihej rregull dhe do të eliminoheshin pasiguritë që kanë shfrytëzuesit e kësaj industrie.

E gjithë kjo situatë për analistin e tregut dhe të investimeve në Kosovë, Arsim Ajeti, tash për tash është “kaotike”.

Ai thotë se, në mungesë të ligjit, as shteti, as individët nuk janë në dijeni për përfitimet që sjellin kriptovalutat, por as për dëmet që shkakton mosrregullimi i fushës së tyre.

“Po të ishte ligji i rregulluar, personat [që merren me to] do të paguanin tatim”, thotë Ajeti dhe në këtë mënyrë, shton ai, ata mbahen nën kontroll dhe shteti përfiton.

Me ligj, sipas tij, do të parandaloheshin shumë rreziqe, si shpëlarja e parave, apo financimi i veprimtarive të tjera ilegale.

Veprimtaritë e tilla janë të mundshme sepse llogari për kriptovaluta mund të hapë çdokush dhe jo gjithmonë duhet t’iu nënshtrohet kontrolleve që zakonisht bëjnë bankat.

Vëmendja e opinionit është kthyer te kjo çështje në fund të vitit të kaluar, kur Izraeli ka njoftuar se ka konfiskuar llogari të kriptovalutave që, sipas tij, kanë qenë të lidhura me Hamasin – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian – ku Kosova synon të anëtarësohet – ka miratuar një rregullore për tregjet e kriptoaseteve, e njohur si MiCa.

Ajo kërkon që firmat e kriptoaseteve të autorizohen nga BE-ja për t’u shërbyer klientëve në bllok dhe t’i respektojnë masat mbrojtëse kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Rregullorja, po ashtu, u kërkon ofruesve të shërbimeve të kriptoaseteve që t’i ndajnë informacionet e detyrueshme me autoritetet tatimore.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook