fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Krerët institucional dhe Policia, reagojnë për gjuajtjen më armë në Zubin Potok

Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës.

Publikuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me sulmin që u ndodhi sot anëtarëve të grupit “Kosova Mountain Club” në malet e Zubin Potokut, ku persona të panjohur gjuajtën me armë zjarri në afërsi të tyre.

Osmani ka thënë se çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës.

Presidentja ka ftuar organet e rendit dhe hetuesisë që të zbulojnë autorët e këtij akti që ajo e quajti kriminal.

Incidenti me armë zjarri në Zubin Potok, flasin nga grupi i organizatorëve të ecjes: Të shtënat ishin shumë afër

“Dënoj sulmin e armatosur ndaj grupit të të rinjve nga “Kosova Mountain Club” në malet afër Zubin Potokut. Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës. Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla  pasi një grup i atletëve u sulmua me armë në pjesën veriore të Kosovës.

Sveçla e quan fat të mirë që nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur nga kjo ngjarje. Ai thotë se incidente të tilla tregojnë për brishtësinë e sigurisë në atë pjesë të Kosovës.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”, njofton Sveçla  në Facebook, përcjell Telegrafi.

Nga ana tjeter, kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri iu ka bërë thirrje organeve të sigurisë dhe drejtësisë që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të zbardhet ky rast dhe kryerësit të dalin para drejtësisë.

Kreu i Mitrovicës ka thënë se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që grupet kriminale në asnjë vend e veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të fuqizohen sipas tij sikurse vite më parë.

“E dënoj fuqishëm sulmin e armatosur ndaj grupit të të rinjve “Kosova Mountain Club” në bjeshkët afër Zubin Potokut.

Ndërkohë nga Policia e Kosovës kanë thënë se të shtënat me armë janë bërë në afërsi të tyre.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, tha se nga të shtënat me armë zjarri nuk është lënduar asnjë person, ndërsa gjatë rrugës kanë hasur në një patrullë policore dhe e kanë njoftuar për rastin.

“Diku rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat me i jep në Prishtinë”, tha Hoti.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021