fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

“Krejt dhe Padrejtë”, thirrja e gastronomeve për ndryshimin e masave kufizuese

”Krejt dhe Padrejtë”, “Me gastronomët”, “Nëpërkëmbje”, si dhe “Padrejtësia, padrejtësi”.

Publikuar

Me thirrjet “Me një vaksinë nuk çel vera” dhe “Çelma derën”, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka protestuar të martën para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar heqjen e masave kufizuese për luftim të koronavirusit.

Shprehja e pakënaqësisë nga ana e Gastronomëve është bërë me anë të slloganeve që partitë politike i kanë pasur në zgjedhjet qendrore që u mbajtën më 14 shkurt.

”Krejt dhe Padrejtë”, “Me gastronomët”, “Nëpërkëmbje”, si dhe “Padrejtësia, padrejtësi”.

Kërkesa kryesore e tyre është largimi i masave, hapja e sallave të dasmave, klubeve të natës, pishinave dhe lejimi i mbajtjes së festivaleve.

Kryetari i kësaj shoqate, Petriti Kllokoqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka ende asnjë plan për hapjen e sezonës së verës.

“Tash e 438 ditë jemi mbyllur, tash e 438 ditë nuk po mund të sigurojmë kafshatën e gojës. Po punojmë me kufizime e me dënime. Këto masa nuk kanë më kuptim kur rastet kanë rënë në më pak se 1 për qind”, ka thënë Kllokoqi.

Ai ka paralajmëruar se kjo do të jetë protesta e fundit që gastronomët do ta realizojnë në këtë mënyrë, dhe se tani e tutje, protesta do realizohet me mosdëgjueshmëri qytetare dhe mosrespektim të masave kundër pandemisë.

Sipas vendimeve të marra më 18 prill nga Qeveria e Kosovës, kufizimi i lëvizjes në Kosovë zbatohet në periudhën 22:30 – 05:00.

Bizneseve të gastronomisë iu lejohet puna, mirëpo duket pasur parasysh mbajtjen e distancës fizike dhe kufizimin e konsumatorëve për metër katror.

Situata epidemiologjike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën një viktimë me koronavirus.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,291 mostrave.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 25 maj janë shëruar 258 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 3,303.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,725 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,241 kanë vdekur.

Në Kosovë është në zhvillim e sipër faza e dytë e vaksinimit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç. Në fazën e tretë, ndërkaq është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve. Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian. Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021