fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Krasniqi pas takimit me Kurtin: Nuk mora siguri për situatën në veri

Krasniqi deklaroi Qeveria nuk e ka ende të qartë se çfarë veprime duhet ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll në pjesën veriore të vendit.

Publikuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti këtë të martë, tha se nuk ka marrë siguri lidhur me situatën në veri të vendit.

Në një deklarim para mediave, Krasniqi deklaroi Qeveria nuk e ka ende të qartë se çfarë veprime duhet ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll në pjesën veriore të vendit.

“Dje ia kam dërguar një letër kryeministrit ku ja kam shprehur shqetësimin në lidhje me situatë në veri sepse aty kemi hyrë në një fazë që nuk ka epilog të qartë, ndërsa potencialin për përshkallëzim e ka të madh. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe e menjëherë e ka ftuar këtë takim të sotëm”.

“Patëm diskutim rreth asaj se si është situata dhe si ka ardhur deri këtu. Unë isha më shumë i interesuar të dëgjojë për planet e Qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë. Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se Qeveria e din se çfarë veprime duhet ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll”, u shpreh i pari i PDK-së, raporton Telegrafi.

Megjithatë, ai tha se me këtë rast ia ka shprehur kryeministrit qëndrimin e PDK-së se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme.

Sa i përket vazhdimësisë së ushtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore, Qeveria tha se do ta ketë përkrahjen e PDK-së “në çfarëdo mundësie që e kemi”.

I pyetur se a duhet shtyrë afati për targat në mënyrë që situata mos të përshkallëzohet më tej, Krasniqi u shpreh se “nuk mund të them se çka duhet të bëjë sot Qeveria për ta sjellur normalitetin:, shtoi se sot është një situatë e re e cila ka mundur të shmanget.

“Mungesa e koordinimit me aleatët si dhe papjekuria në disa veprime kanë sjellur në këtë situatë”, deklaroi tutje ai.

Në fund, Krasniqi konfirmoi se kanë biseduar edhe për dialogun dhe propozimin franko-gjerman, duke thënë se Qeveria po merret me tema shumë teknike në vend se të fokusohet në marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë edhe për dialogun dhe normalisht ka pasur diskutime edhe për propozimin të ashtuquajtur franko-gjerman, por unë e kam thënë edhe shumë herë të tjera se në vend që të vazhdojmë të fokusohemi si shtet në arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të sjellte njohje të ndërsjellë, ne sot po merremi me tema shumë më sporadike dhe më teknike”.