fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Krasniqi: Në misionin tim të ri do të jem zëri i të mbijetuarve

Publikuar

Vasfije Krasniqi, kandidate për deputete nga radhet LVV, e që sipas vet konfirmimit të saj do të jetë deputete nē legjislaturen e re të Kuvendit të Kosovës, në një dedikim falenderues për votuesit e saj u ka premtuar atyre se do të punojë pa u ndalur për misionin e ri që e pret dhe se do të jetë zëri i të mbijetuarve të luftës.

Postimi i plotë i Vasfije Krasniqit:

Të dashur bashkëqytetarët e mi!

Dita e zgjedhjeve, 14 shkurti i këtij viti, demonstroi qartë e bindshëm, se sa është rrënjosur ndër ne, kultura demokratike e shprehja më e lartë e saj: e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur, liria për të votuar e për tu votuar.

Asnjë parregullsi evidente, asnjë ngjarje që të dëshmonte të kundërtën, përkundrazi. Fakti që më pas i gjithë shtypi e kanceleritë perendimore vlerësuan maksimalisht procesin elektoral, më mbush jo vetëm me një ndjenjë krenarie për popullin tim, por edhe më krijon bindjen se me një ecuri të tillë, me një pjekuri të tillë politike, drejt së ardhmes mund e duhet të shihet vetëm me optimizëm.

Të dashurit e mi!

Për mua ka qenë privilegj të garoj si kandidate e Lëvizjes Vetvendosje. Nr.4 që mbajta në këtë listë flet për prioritetin me të cilin ky grupim politik, i konsideron temat e përpjekjes së armatosur për liri, që ndërmorrëm 20 vite të shkuara. Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalur, me zemër, me shpirt, me mendje.

Të dashur bashkëqytetarë!

Në këto ditë, kam marrë me mijra e mijra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falenderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë që na përket e që duhet ta arrijmë. Unë jam thellësisht e bindur që do të korrim rezultatet e shpresuara dhe këtë bindje ma jep prania juaj, mbështetja juaj, përkrahja juaj, dashuria që më shfaqni.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: [email protected] | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021