fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

KQZ-ja refuzon mbi 20 mijë zarfe me fletëvotime nga jashtë

Publikuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se të premten në mesnatë ka përfunduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë, ku janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të shtunën, tha se janë pranuar rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate”, tha Elezi.

KQZ-ja, shtoi Elezi, pret që gjatë të dielës të nisë numërimi i 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta.

Ai tha se pas numërimit të votave me kusht, do të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës.

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, ndërkaq po vazhdon rinumërimi i 552 vendvotime. Deri më tani, sipas KQZ-së janë numëruar 88 për qind e këtyre vendvotimeve dhe ky proces pritet të përmbyllet më vonë gjatë ditës së shtunë./tg/