Sport
Kosova U21 triumfon ndaj Izraelit, shijon fitoren e dytë në kualifikimet për Euro 2025 – Federata e Futbollit e Kosovës

21 nëntor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”. Dardanët e rinj, të udhëhequr nga Afrim Tovërlani, të martën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” kanë mundur Izraelin, me rezultat 3:1. Kjo ndeshje për shkaqe sigurie u zhvillua pa praninë e tifozëve dhe i takoi Grupit D. Përkundër mungesës së tifozëve, futbollistët dardanë u shfaqën mjaft të motivuar dhe qysh pas 11 minutash lojë krijuan epërsi prej dy golash. Rezultatin e zhbllokoi Bleron Krasniqi në minutën e gjashtë, teksa i njëjti futbollist pesë minuta më vonë e dyfishoi epërsinë. Izraeli arriti të ngushëtojë diferencën në 2:1, në minutën e 24-t përmes Stav Nachmani, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë djelmoshat e Tovërlanit e menaxhuan mirë lojën dhe në minutën e 80-të e vulosën fitoren përmes Veton Tushës, pas asistimit të Ardit Tahirit. Për Kosovën kjo ishte fitorja e dytë në këtë fushatë kualifikuese, derisa ka edhe dy barazime e dy humbje. Deri në fund të këtij cikli kualifikues Kosova do t’i luajë edhe katër ndeshje, të cilat zhvillohen vitin tjetër.
