fbpx
Lidhu me Ne!

Shëndeti

Kosova pranon kontigjentin e dytë të vaksinave të blera kundër COVID-19

Të martën kanë arritur një tjetër kontingjent me 106,470 vaksina kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech.

Publikuar

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se të martën kanë arritur një tjetër kontingjent me 106,470 vaksina kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se në ditët në vijim, pritet që Kosova të pranojë edhe doza tjera të vaksinës.

“Vaksina mbetet zgjidhja më e mirë në përballjen e suksesshme me pandeminë”, ka thënë Vitia, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Më 28 qershor, Kosova ka pranuar kontigjentin e parë të vaksinave të blera kundër koronavirusit.

Të dyja kontingjentet janë rezultat i marrëveshjes së arritur mes kompanisë amerikane Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në muajin maj, për më shumë se 1 milion doza.

Kosova tashmë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Deri më tani janë dhënë 170,098 doza vaksinash.

Kosova ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë kundër koronavirusit.

Rastet ditore me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën gjashtë raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,933 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë viktimë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 29 qershor janë shëruar dhjetë pacientë nga sëmundja COVID-19, ndërsa raste aktive janë 166.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,749 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,258 kanë vdekur.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021