fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

Kosova mund të goditet nga një tërmet 6.5 shkallë të Rihterit

Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth

Publikuar

Të shtunën, Kosova u godit nga një tërmet me magnitudë 3.4 shkallë të rihterit, epiqendra e të cilit ishte në qytetin e Vitisë.

Drejtori i Institutit Sizmologjik i Kosovës, Shemsi Mustafa në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se Kosova paraqet një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lart, është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet autoktone shumë të fort.

Ai më tej ka theksuar se shqetësimi i qytetarëve është i arsyeshëm dhe me vend, sepse çdo herë që godet tërmeti ata e mendojnë objektin ku jeton, a ka siguri a jo, si është ndërtuar, a është i përballueshëm ndaj tërmetit.

“Kur godet një tërmet, ndërtesat e projektuara dhe të ndërtuara dobët janë faktori kryesor kontribuues në rritjen e riskut sizmik deri në katastrofë. Në shumë mënyra, mund të thuhet se nuk janë tërmetet që shkaktojnë lëndime njerëzore dhe humbje të jetës, por përkundrazi janë ndërtesat që janë projektuar dhe ndërtuar me rezistencë të dobët ndaj tërmeteve.

Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth”, u shpreh Mustafa.

Mustafa më tej theksoi se tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosovë është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitudë prej 6.1 në shkallën rihter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali.

“Në përgjithësi nuk ekziston asnjë rregull i tërmeteve si peridotitet, por vetëm për sa i përket probabilitetit të ndodhjes së ngjarjeve në një vend të caktuar, bazuar në katalogun e tërmeteve dhe disa faktor, si tektonik, gjeologjik si dhe topografik, të studiuara dhe të llogaritura në përpilimin e hartave të Rrezikut Sizmik”, tha Mustafa për Telegrafin.

Drejtori i Institutit Sizmologjik ka treguar edhe zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.2- 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 5.9 – 6.1 shkallë të richterit. Pra, ne nuk mund të ndikojmë në shfaqjen, forcën, ndryshimin e parametrave të tërmeteve, por ne mund të ndërtojmë në mënyrë që tërmeti të mos shkatërrojë objektet e ndërtuara, sepse kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur jetën e njerëzve”, u shpreh Mustafa.

Ai shtoi se mund të konkludojmë se duhet bërë shumë në lidhje me sigurinë e ndërtimit në vendin tonë, dhe mbi të gjitha, forcimi i kontrolleve në të gjitha nivelet, vendosja e rendit në ndërtimin e objekteve, por gjithashtu futja e standardeve evropiane.

“Siç jemi në dijeni, Agjencia kompetente është duke punuar në këtë drejtim, Paketa Eurokodeve e cila përbëhet nga 10 Standarde Evropiane, pas miratimit të gjitha standardeve, situata me ndërtimin në zonat sizmike do të jetë dhe duhet të jetë shumë më e mirë, natyrisht nëse respektohet: Çdo ndërtim, varësisht nga dedikimi, duhet t’i plotësojë kërkesat themelore për ndërtimin, të parapara me parametrat e planit urbanistik ose dokumentacionit të planit urbanistik shtetëror, përkatësisht lokal ose projektit të infrastrukturës dhe kushtet tjera të përcaktua me ligj dhe me ligjet e veçanta të mbrojtjes sizmike”, u shpreh Mustafa.

Mustafa shoti se ndërtimi duhet të jetë i projektuar dhe i kryer në atë mënyrë që gjatë punëve ndërtimore dhe gjatë përdorimit, nuk do të vijë te çrregullimi i rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike.

“Shkalla për realizimin e rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike të ndërtesës duhet të sigurohet nga realizuesi gjatë ndërtimit dhe pas ndërtimit të tërë sistemit konstruktiv të ndërtimit. Realizimi sipas këtyre parametrave do të ndikon drejtpërdrejtë në tri aspekte: Sigurimin e jetës së shfrytëzuesve; Zvogëlimin e humbjeve ekonomike dhe Zvogëlimin e mundësisë së humbjes së funksionit të strukturave pas tërmetit”, deklaroi Mustafa.