fbpx
Lidhu me Ne!

OP/ED

Kosova dhe Shqipëria, bashkë me mjekët në diasporë, mobilizohen për vaksinat

Nga: Salie Gajtani-Osmankaq

Publikuar

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë, i ka drejtuar një letër zyrtare Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH) në Gjenevë, në fillim të kësaj jave kur kjo Organizatë kishte nisur punimet e Asamblesë së 74-të, duke kërkuar mbështetje në sigurimin e vaksinave për vendet shqipfolëse në Ballkan.  Diaspora shqiptare në Evropë siguron 50 mijë vaksina donacion për bashkatdhetarët.  

FMSHE-ja, e cila numëron mbi 3.000 mjekë shqiptarë që punojnë dhe veprojnë në 21 vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, organizoi po ashtu edhe një konferencë të përbashkët virtuale me krerë të institucioneve shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të konsullatash nëpër vende të BE-së.

Në këtë konferencë, u konfirmua se Tirana dhe Prishtina, së bashku me FMSHE-në mobilizohen në luftën kundër COVID-19, si dhe sigurimin e vaksinimit të qytetarëve shqiptarë në Ballkan.

Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka thënë se kanë filluar me vaksinimin e qytetarëve, diku në fund të muajit mars dhe deri tash janë vaksinuar afro 60 mijë qytetarë të vendit. Duke respektuar planin nacional të vaksinimit, deri tani janë vaksinuar personeli shëndetësor dhe personat në moshën mbi 80 vjeçare, ndërsa tani janë në fazën e vaksinimit të personave të moshës mbi 65 vjeçare.

“Gjatë kësaj jave, presim edhe një kontingjent prej rreth 100 mijë dozave nga Covax, kështu që gjatë muajit qershor presim që të kemi vaksinim në vazhdimësi dhe në masë, në mënyrë që të arrijmë që të vaksinojmë popullatën në rrezik para muajve të verës”, ka thënë ministri Vitia.

E domosdoshme , vaksinimi i sa me shumë qytetarëve deri në verë

Ai ka theksuar se duke pasur parasysh se pandemia, përveç ndikimit të saj në shëndetësi, është duke e shtrirë ndikimin e saj të madh edhe në ekonomi dhe jetën sociale, si dhe duke pasur parasysh edhe rëndësinë e diasporës në Kosovë, është tejet e rëndësishme që të vaksinohen sa më shumë qytetarë deri në verë.

“Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me shumë prodhues për sigurimin e vaksinave, me disa prej tyre edhe në fazë të avancuar dhe shpresojmë se së shpejti edhe do të finalizojmë në mënyrën më të mirë rezultatin e këtyre diskutimeve”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka saktësuar se Qeveria ka marrë vendim që të pranojë vetëm vaksinat që janë të pranuara nga EMA, apo FDA, prandaj deri tani qytetarët janë vaksinuar vetëm me “Astrazeneca” dhe “Pfizer”.

Ai ka falënderuar anëtarët e FMSHE-së për gatishmërinë dhe vullnetin e mirë për të qenë pranë Kosovës, duke ndarë përvojat e çmuara dhe mbështetjen e ofruar për ekspertizë profesionale në përballje me pandeminë COVID-19. Ai e ka cilësuar si tejet të rëndësishëm rrjetëzimin e mjekëve shqiptarë në diasporë.

Shqipëria ka përdorur katër lloje të vaksinave

Përderisa Shqipëria, sipas zv.ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deri tani ka përdorur katër lloje vaksinash për imunizimin e qytetarëve të saj nga COVID-19, duke përdorur edhe vaksinat kineze dhe ato ruse. Rakacolli ka theksuar se Shqipëria deri tani ka vaksinuar afro 70.000 qytetarë dhe se rezultatet e këtij procesi janë impresionuese. Duke falënderuar organizatoret për këtë konferencë, ajo ka pohuar se është momenti që të gjithë të veprojmë së bashku në luftën globale kundër pandemisë. “Vendi ynë, ne si Qeveri dhe të gjitha institucionet relevante në qytete dhe fshatra janë mobilizuar përballë COVID-19 që të kemi sa më pak viktima dhe të infektuar”, ka thënë Rakacolli.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve, si në vend ashtu edhe në diasporë, që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore, sidomos distancën sociale si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg ka thënë se negociata me Bashkimin Evropian për të sjellë vaksina në Shqipëri, pritet të zhvillohen edhe në qershor. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ka siguruar një donacion prej 50 mijë dozash të vaksinave antiCovid për trojet shqiptare.

Deri tani vetëm 0.3 për qind të vaksinave të prodhuara e të aprovuara, kanë shkuar tek vendet e varfra

Dollenberg ka theksuar se Norvegjia është shteti i parë evropian, që do të dhurojë vaksina për shqiptarët. Norvegjia së fundmi ka bërë të ditur se do të dhurojë 1.3 milion vaksina për vendet tjera, që nuk kanë arritur të sigurojnë ende vaksina nga prodhuesit. Dollenberg ka pohuar se deri tani vetëm 0.3 për qind të vaksinave të prodhuara e të aprovuara, kanë shkuar tek vendet e varfra, siç janë Shqipëria dhe Kosova. “Prandaj, ne duhet të rrisim kontaktet me prodhuesit e vaksinave, në mënyrë të që të sigurojmë sasitë e nevojshme për vaksinimin e qytetarëve në vendet shqipfolëse”, është shprehur Dollenberg.

Pjesëmarrësit e kësaj konference, u pajtuan se bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore dhe profesionistëve shqiptarë të të gjitha fushave që jetojnë në diasporë, është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm, prandaj ky bashkëpunim duhet të rritet dhe të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021