fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet

Publikuar

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre si dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter duke i shprehur mbështetje të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në përpjekjet për ripërtëritjen e procesit të bisedimeve ndërmjet palëve.

“Nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkroi zoti O’Brien dyke nënvizuar se zgjedhjet e reja të veri duhet të mbahen dhe duhet bashkërendim për zbatimin e rregullores së re mbi monedhën, duke iu referuar debateve që ka nxitur një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Zoti Lajçak, u takua të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç para se të shkojë të martën në Prishtinë për takime me zyrtarët e Kosovës për të diskutuar hapat e mëtejmë në procesin e bisedimeve.

Muajin e ardhshëm mbushet një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Në tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çon në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët.

Marrëveshja nuk arriti të ulë tensionet që kulmuan me 24 shtator të vitit të kaluar kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës bë fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

Kosova e ka akuzuar Beogradin për organizmin dhe armatosjen e grupit, por Beogradi mohon të jetë përfshirë në të. Përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

“Serbia duhet t’i mbajë përgjegjës ata që u përfshinë në sulmin në Banjskë”, shkroi zoti O’Brien.

Vendet perëndimore janë të shqetësuara se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në shkallë të gjerë në Ukrainë, të cilin Moska e nisi gati dy vjet më parë. Kosova dhe Bosnja shihen si dy pikat më të “nxehta” për shkak të refuzimit të Beogradit që të njohë Kosovën dhe synimeve të udhëheqjes së Republikës Serbe për shkëputje nga Bosnja.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien do të udhëtojë në Sarajevë, nga 1 deri me 3 shkurt, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

“Vizita e tij do të theksojë partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe do të riafirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, tërësinë tokësore të vendit, dhe karakterin shumetnik”.

Udhëheqësi nacionalist pro-rus i Republikës Serbe Milorad Dodik, ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qasjes politike.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook