fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat

“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.

Publikuar

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Hollësitë shtesë të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.

Ai ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të ftojë palët në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”, thuhet në një deklaratë të Borrellit.

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se pala serbe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, sipas tij, do të mund t’i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat. Por, sidoqoftë, në tre vjetët e fundit targa të reja KM nuk janë lëshuar”, ka thënë Petkoviq.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook