fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Korridori ajror me Serbinë mbetet i mbyllur

Publikuar

Korridori me Serbinë është pezulluar që nga viti 1999, gjë që bën që fluturimet të jenë më të gjata, rrjedhimisht edhe më të shtrenjta, për dhe nga Kosova. Edhe pse ka pasur paralajmërime që në dialogun Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, kjo nuk ka ndodhur.

Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, deri tash nuk janë marrë sa duhet me çështjet e aviacionit dhe menaxhimin e hapēsirave ajrore.

Sipas tij, çështja e normalizimit të hapësirës ajrore me vendet fqinje është dashur të përfundojë shumë kohë më parë.

“Doemos është dashur që politika të luajë rolin e saj dhe me këmbëngulje të hyhet në biseda, me këmbëngulje të kërkohet ajo çka na takon si me Serbinë, po ashtu edhe me Malin e Zi. Mendoj se nuk është bërë sa duhet. Ndoshta këtu ka ndikuar mosnjohja e problematikës, shkojnë bisedojnë atje dhe nuk e dinë për çka kanë shkuar”, shprehet Aliu.

Mekanizmat përkatës, thotë Aliu, kanë arritur të shkollojnë kuadro të reja dhe siç shprehet ai, Kosova tashmë ka edhe infrastrukturën e duhur për menaxhimin e hapësirës ajrore.

Ndryshe, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, thotë se plani në të ardhmen është që Kosova të menaxhojë edhe hapësirën e lartë ajrore.

Mosmenaxhimi i hapësirës së lartë, aktualisht po i shkakton Kosovës humbje të konsiderueshme.

“Kosova çdo ditë që nuk e menaxhon hapësirën e vet ajrore, ka humbje në aspektin financiar dhe e rëndësishme mbi të gjitha është se sovraniteti ajror ende nuk është nën autoritetet vendore.

Po, të menaxhohej hapësira ajrore, të hyrat do të ishin relativisht prej 5 deri në 8 milionë euro në vit, por gjithherë në varshmëri prej avio-kompanive, të cilat kanë shfrytëzuar lundrimin ajror në Republikën e Kosovës”, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.

Ai shton se bazuar në të dhënat që kjo agjenci posedon e që janë publike, për vitin 2019 Hungaro-Control ka menaxhuar trafik ajrore prej 150 deri në 170 mijë fluturimesh, të cilat e kanë shfrytëzuar territorin e Kosovës si transit.

HungaroControl-i më 2014 kishte marrëveshje pesëvjeçare për kontroll të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe meqë Kosova ndërkohë nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, i është zgjatur marrëveshja për një afat të pacaktuar.