fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Konjufca: Njeriu kryesor i drejtësisë e ka dosjen për bandat në veri dhe nuk vepron

Ai ka thënë se dhuna në veri është si pasojë e “betejës së fundit që Serbia po e bën për Kosovën”.

Publikuar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka akuzuar për mosveprim, ndaj bandave kriminale në veri, siç e ka quajtur “njeriun kryesor të drejtësisë në Kosovë, që po dëshiron tash të bëhet kryeprokuror”.

Duke aluduar në kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, Konjufca ka thënë se ai e ka dosjen e plotë për të gjitha veprimet e bandave kriminale që veprojnë në veri dhe prapë se prapë, sipas tij nuk ndërmerr asnjë veprim.

Ai ka thënë se këtë dosje ai e ka që një vit e 15 muaj me të gjitha detajet.

“Kam informata të sakta, që njeriu kryesor i sistemit të drejtësisë sot, prej muajit shtator të vitit të kaluar e ka dosjen e plotë të bandave kriminale të veriut. Asnjë veprim fare, asnjë veprim. Njeriu kryesor i drejtësisë, ai që po dëshiron të jetë kryeprokuror”, ka thënë Konjufca, në Debat Plus të RTV Dukagjini.

“Një vit e tre muaj, 15 muaj e ka në tavolinë, dosjen voluminoze, me krejt emrat e krejt fotografitë e incizimet e personave që janë kryesorit, që e bëjnë organizimin e krimit në veriun e Kosovës. Dosjen e ka, po të garantoj e ka prej shtatorit të vitit të kaluar, me të gjitha eksponentët, me të gjitha detajet. Pse? Atë zotninë duhet ta thërrisni në emision dhe ta pyetni”, ka vijuar Konjufca.

E njëjta zyre sipas tij kishte marrë vendim për tërheqjen e urdhrit të arrestit për Milan Radoiçiq, i cili sipas Konjufcës është “shefi i bandave në veri”.

Ai ka thënë se dhuna në veri është si pasojë e “betejës së fundit që Serbia po e bën për Kosovën”.

Sipas Konjufcës, Serbia do ta humbë këtë betejë.

“Tash kjo betejë ka hy në fazën e fundit, tash me përdor edhe dhunë në mënyrë të armatosur me kërcënime, mos ta lejojnë policinë ta kryejnë punën e tyre atje, Serbia e ka humbur këtë betejë”, ka thënë ai.

Ai foli edhe për betimin e deputetëve të rinj të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se betimi i tyre nuk është njohje e tyre ndaj shtetit të Kosovës, por është vetëm vazhdim i betejës dhe marrje e kompetencave ligjore. /Dukagjini/