Lajme
Komunitetet joserbe dorëzojnë ankesë në PZAP

Partitë nga komunitetet joserbe në Kosovë kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anulohen votat e komunitetit serb për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe.
Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, e cila, sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk arriti të fitojë ulëse, tha se komunitetet joserbe janë të gatshme që këtë çështje ta dërgojnë deri në Gjykatën Kushtetuese, nëse PZAP-ja dhe më pas Gjykata Supreme i hedhin poshtë pretendimet e tyre.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që i ka ofruar ndihmë juridike falas komuniteteve joserbe, tha se bëhet fjalë për manipulimin e rreth 10 mijë votave.
“Në bazë të ankesës që kemi përgatitur, kemi shkelje, në radhë të parë, të vullnetit të qytetarëve të komuniteteve joshumicë, kemi një manipulim të orkestruar nga Lista Serbe me disa parti boshnjake dhe rome. Janë afërsisht rreth 10 mijë vota, që kanë kaluar nga komuniteti serb te së paku dy parti të komuniteteve joshumicë”, tha Miftaraj./tg/
