fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

KNSH autorizon hetime ndaj MF-së dhe ndaj ZRRE-së

Publikuar

Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) ka autorizuar hetimin e masës së ndihmës – Lehtësim i qasjes në financim për bizneset  – e dhënë nga Ministria e Financave,  nën dyshimin për dhënien e ndihmës së kundërligjshme neni 16(2) i Ligjit të Ndihmës Shtetërore.

Komisioni në bazë të informatave të qasshme publikisht ka konstatuar se masa në fjalë, pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike Ligji 07/L-016, përbën ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore (LNSH) nr. 05/L-100  dhe se e njëjta në procedurë është dhënë në kundërshtim me LNSH (neni 11(1)) pasi nuk është njoftuar te autoritetet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me rregullat e ndihmës shtetërore –  para se të vëhet në zbatim.

Mbi këtë bazë Komisioni autorizon Departamentin e Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Financave, t’i kërkojë dhënësit të kësaj ndihme (MF) të paraqesë të gjitha të dhënat për ndihmën në fjalë, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pune, nga dita e pranimit të kërkesës.

Ministria e Financave ka filluar të zbatojë këtë masë përmes Fondit Kosovar për Garanci të Kredive (FKGK), duke rritur asetet e këtij të fundit me 65mil Euro me qëllim që të krijohet mundësia e rritjes së masës së garancionit për kreditë që bizneset kosovare do të marrin në bankat komerciale deri në fund të vitit 2021. Ky lehtësim i qasjes në financim (përmes instrumentit të garancionit) është bërë me qëllim që bizneseve në disa sektore t’u ndihmohet në procesin e rimëkëmbjes së tyre ekonomike si pasojë e tkurrjes së aktivitetit të tyre ekonomik gjatë pandemisë.

Procedura që do të ndiqet nga ana e Departamentit është e krijuar, ndër të tjera, për të vërtetuar faktet dhe se vendimi përfundimtar i Komisionit, në lidhje me këtë masë të ndihmës, nuk mund të paragjykohet.

Në po të njëjtin takim, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka autorizuar Departamentin të zgjerojë kërkimet në lidhje me skemën e ndihmës shtetërore të dhënë në fushën e energjisë nga burimet e ripërtritshme, nga ana e Zyres së Rregullatorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.

Skema është dhënë sipas rregullave që ZRrE ka nxjerrë në vitin 2014 dhe rishikuar në vitin 2016 dhe sipas vendimeve V_673_2014 dhe V_810_2016, që përfshijnë tarifën nxitëse për gjeneratorët e energjisë nga këto burime alternative. Kërkimet për skemën në fjalë janë zgjeruar me synimin e identifikimit dhe harmonizimit të saj me rregullat e ndihmës shtetërore duke qenë se e njëjta është ndihmë ekzistuese dhe rrjedhimisht kualifikohet për të qenë në inventarin e skemave të ndihmës shtetërore në RKS.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore gjithashtu shfrytëzon rastin të njoftojë institucionet publike dhe më gjerë që me qëllim dhe në funksion të zbatimit të kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizimit Asociimit, (neni 75(6) i marrvëeshjes), si dhe Ligjit të Ndihmës Shtetërore (neni 19 (1)) deri në fund të këtij viti do të krijojë një inventar gjithëpërfshirës të skemave ekzistuese të ndihmës shtetërore (përfshirë edhe sektorët e tjerë aty ku aplikohet, përveq energjisë) duke u siguruar që të njëjtat të harmonizohen –  aty ku ka nevojë -me rregullat e ndihmës shtetërore.

Konkludimi i inventarit të ndihmës shtetëore në vend do të përbënte një hap të rëndësishëm për vendin karshi përmbushjes së obligimeve që RKS morri me rastin e ratifikimit të MSA-së në vitin 2015. /tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021