fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Kandidatët të shpalosin platformat e tyre

Publikuar

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Muhamet Hamiti ka kërkuar nga kandidatët për kryetar të kësaj partie që të shpalosin platformat e tyre.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se me platforma kandidatët duhet të bindin anëtarët e Kuvendit të LDK-së që votojnë të dielën, por edhe anëtarësinë e gjerë.

“Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte”, ka thënë Hamiti.

Më tej, thotë ata Hamiti ata duhet të tregojnë si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik.

“Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çka do që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?”, ka shkruar Hamiti.

Postimi i plotë i Hamitit:

Le të shpalosen platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së

Kuvendi i LDK-së i të dielës, më 14 mars 2021, është tema kryesore në opinionin publik të Kosovës mbas zgjedhjeve të 14 shkurtit, të fitores së madhe të VV-së dhe të humbjes së madhe të LDK-së, por edhe të partive të tjera tradicionale, që fituesit mujsharë po i quajnë si në kor ‘regjimi i vjetër’, me përbuzje që dëftonte fraza ‘klasa e përmbysur’ në diskursin komunist shqiptar.

Anëtarë e simpatizantë të LDK-së, ish-anëtarë të saj, por edhe analistë të moçëm e rishtarë, shpërfaqin pëlqimet e mospëlqimet e veta, madje animet, që jo rrallë tingëllojnë si tifozeri për këtë apo atë pretendent apo kandidat, mbasi tashmë janë bërë publike katër kandidatura për kryetar të LDK-së, të gjithë anëtarë të Kryesisë së LDK-së aktualisht.

Deri të dielën anëtarësia e LDK-së, por edhe publiku i gjerë – sepse kjo çështje është me interes jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe për kulturën demokratike të Kosovës – duhet të ketë rastin të dëgjojë platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së.

Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte. Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik.  Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?

Çështjet me të cilat duhet të rroken kandidatët janë, ndër të tjera: në çfarë shtyllash programore, me çfarë strategjie, mbi cilat politika, do ta rikthejë LDK-ja besimin e humbur? Si do ta bëjë këtë?

Kandidatët duhet të bindin anëtarët e Kuvendit të LDK-së që votojnë të dielën, por edhe anëtarësinë e gjerë, se kanë platformë për këtë. Platformë e një partie politike është një kornizë e synimeve kryesore që përkrah një parti politike apo kandidat për të tërhequr publikun me qëllimin e fundmë që të sigurohen mbështetje dhe vota për tema apo çështje të ndërlikuara, që duan zgjidhje, të cilat s’janë të lehta. Populistët ofrojnë zgjidhje të lehta për probleme të ndërlikuara. Natyrisht, kjo është e pamundshme. Por, para se ta kuptojnë shumë njerëz, dëmi do të jetë bërë tashmë.

LDK-ja e Ibrahim Rugovës, lëvizja pavarësiste që ka drejtuar Presidenti historik, ka pasur trinomin “Liri, demokraci, pavarësi” në themele të programit të vet.

Edhe tash e tutje, në rrethana të reja, në dekadën e tretë të shekullit tonë, LDK-ja duhet të rimëkëmbet si parti antikomuniste, formacion politik që është i lidhur me trollin, me zakonet, me traditën shqiptare dhe me historinë e Kosovës; të punojë për demokraci, kundër kulturës së pushtetit absolut; për Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, të pacenuar në punë të territorit, si zgjidhje e përhershme.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021