fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

Jetëgjatësia e institucioneve e varur nga zgjedhja e presidentit

Publikuar

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) synon që javën tjetër, menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të zgjedhë qeverinë e re të vendit.

Zyrtarë të këtij subjekti politik, deklaruan për Radion Evropa e Lirë se konsolidimi i institucioneve do të bëhet shumë shpejt.

Arlind Manxhuka, tha se menjëherë pas konstituimit të kuvendit, “do të procedohet me formimin e qeverisë”.

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancën konstituive, të hënën më 22 mars, ku pritet të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e re. Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci ka konfirmuar se Glauk Konjufca është i nominuari i tyre për kryetar kuvendi.

Konstituimi i kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë së re mund të mos sjellin stabilitet institucional, në rast se kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri të vendit.

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk ka marr konfirmim të prerë nga asnjëra prej partive shqiptare në kuvend, se do të marrin pjesë në procesin e votimit të kandidates së tyre, Vjosa Osmanit, për mandat pesëvjeçar presidencial.

Pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të partive shqiptare, LVV-ja e ka të pamundur që të zgjedhë presidentin.

Osmani dhe Kurti kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.

PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë bërë të qartë se nuk do të ‘bëjnë kuorumin’ që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e drejtuar nga Lumir Abdixhiku, nuk e ka përjashtuar ende mundësinë që të jetë pjesë e votimit të presidentit. Pas takimit të së premtes me liderin e LVV-së, Albin Kurtin dhe me Vjosa Osmanin, Abdixhiku tha se vendimi do të merret javën tjetër.

“Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve, të takohemi me pretendenten për kandidate për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendete për presidente karshi LDK-së, LVV-së, karshi partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike, të paralajmëruar.

Pas formimit të institucioneve javën tjetër, presim ftesën nga pretendentja për presidente”, ka thënë Abdixhiku. Albert Krasniqi, nga organizata joqeveritare Demokraci Plus tha për Radion Evropa e Lirë, se vendi rrezikon një bllokad të re nëse partitë nuk reflektojnë me urgjencë.

“Nëse partitë politike nuk tregohen të përgjegjshme për të lëvizur nga pozicionet e tyre fillestare, atëherë bllokada është e pashmangshme dhe kjo mund të na çojë në paqartësi të tjera kushtetuese, lidhur me atë se çka do të ndodhë me përfundimin e këtij mandatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës së presidentit”, tha Krasniqi.

Ai shton se tema e presidentit do të duhej të ishte çështja e parë me të cilën merret kuvendi i ri që pritet të konstituohet më 22 mars.

“Partitë duhet t’i evitojnë zgjedhjet e reja sepse bllokada dhe paqartësia kushtetuese do të ishin të rënda për stabilitetin e vendit.

Në anën tjetër, mendoj se zgjedhjet nuk janë në favor të asnjë partie, përfshirë këtu edhe LVV-në, pas ndryshimit të lidershipit të LDK-së”, tha Krasniqi.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook