Kosovë
Ish këshilltari i Thaçit i reagon ashpër Bashkimit Evropian
Ata nuk duan që publiku të bëhet kundërshtar i diskutimeve aktuale brenda EEAS për Kosovën. Transparenca është diçka që BE-ja kurrë nuk e dëshiron për veten e saj

Bashkimi Evropian e ka mohuar të ketë shkruar dokumentin që ka qarkulluar të shtunën në mediat kosovare, në të cilin thuhej se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell do t’i thoshte kryeministrit Albin Kurti që të mos e dërgojë policinë në veri të Kosovës, ndërkohë ish këshilltari i ish presidentit Hashim Thaqi, Artan Behrami, ka thënë se sa herë që BE-së i shpërfaqet fytyra e vërtetë në publik, ajo ose hesht ose mundohet t’i mohojë dëshmitë, duke konfirmuar se dokumenti i publikuar në mediet kosovar është autentik.
Gjatë ditës së djeshme, mediet në Kosovë, kanw publikuar raportin zyrtar të shefit të diplomacisë, Josep Borrell që i është shpërndarë Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar pas darkës joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, takim në të cilin mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Për këtë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për portalin Klankosova se një dokument i tillë nuk është shkruar nga ata.
“Zakonisht nuk i komentojmë raportet e mediave në lidhje me dokumentet e pretenduara të BE-së, në këtë rast të veçantë “dokumenti” është një falsifikim i plotë dhe diçka e tillë nuk u prodhua kurrë nga BE”, ka thënë Stano.
Ndërkaq, Artan Behrami ka thënë se autenticiteti i dokumentit është verifikuar nga burime përbrenda Bashkimit Evropian, përfshirë shtete anëtare të tij.
“Sa herë që BE-së i shpërfaqet fytyra e vërtetë në publik, ajo ose hesht ose mundohet t’i mohojë dëshmitë, me shpresë që nuk provokon ndonjë debat më të madh. I tillë qenka edhe ky distancimi jo-profesional dhe shumë amataresk prej dokumentit të vet, në përpjekje për ta ruajtur “besueshmërinë” e munguar mes palëve. Dokumenti, i verifikuar me burimet tona, pa fije dyshimi, është autentik dhe nuk kemi të bëjmë me kurrfarë falsifikimi në këtë mes, pos me falsitetin e Bashkimit Evropian, i cili luan lojëra të shumëfishta me të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Behrami.
Behrami po ashtu ka thënë se nëse BE-ja e quan falsifikim, atëherë, duhet t’i demantojë temat që janë shkruar në këtë raport!
“Autenticiteti i dokumentit është verifikuar me disa burime përbrenda Bashkimit Evropian, përfshirë shtete anëtare të tij. Këtë dokument e kemi pranuar nga përfaqësues të një shteti anëtar të BE-së dhe e kemi verifikuar më diplomatë tjerë evropianë para se ta botojmë. Nëse BE-ja e quan falsifikim, atëherë le t’i demantojë temat që janë shkruar në këtë raport”, ka shkruar tutje Behrami.
Sipas tij, BE nuk do që publiku të bëhet kundërshtar i diskutimeve aktuale brenda EEAS për Kosovën
“Pyetja është se cili është pozicioni i EEAS mbi çështjet si zgjatja e mandatit të EULEX-it, Mini-shengenin me fusnotë, mbi situatën në veri të Kosovës për faturat e energjisë elektrike dhe synimin për ta finalizuar dialogun gjatë Presidencës Sllovene? Këto janë çështjet që BE-ja nuk dëshiron t’u përgjigjet. Ata nuk duan që publiku të bëhet kundërshtar i diskutimeve aktuale brenda EEAS për Kosovën. Transparenca është diçka që BE-ja kurrë nuk e dëshiron për veten e saj. Por, ne do të vazhdojmë me punën tonë, me më shumë raportime dhe dokumente që do ta mbajnë publikun të informuar se cila është agjenda e Brukselit në Kosovë. Nëse ata nuk duan të jenë transparentë, ne do të bëjmë punën tonë për ta mbajtur publikun të informuar”, ka shkruar në fund Behrami.
Në atë dokument thuhej se Kurti e kishte mbështetur vazhdimin e mandatit të Misionit EULEX në Prishtinë dhe se dokumenti ishte përpiluar nga Komisioni Evropian pas takimit joformal të liderëve të Ballkanit. Tutje, në dokument shkruhej se Borrell e përshëndet raportin e Kurtit me Gjykatën Speciale.
