Lajme
Hoxhiq nuk dorëzohet, thotë se do ankohet në kushtetuese

Adrijana Hoxhiq, nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar, ka thënë të premten se ajo me pjesëtarët e iniciativës, do ta bëjnë gjithçka për të vërtetuar se Kosova nuk është shtet ligjor.
Deklaratat e saj vijnë pas vendimit të Gjykatës Supreme më 12 mars, e cila ka hedhur poshtë pjesën e mbetur të ankesave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në mesin e ankesave të refuzuara është edhe ajo e Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq, e cila ka kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia ka anuluar mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe, shkruan REL. Ajo ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse nuk beson se do të marrë përgjigje të kënaqshme.
“Kjo nuk ka të bëjë më me Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar -Adrijana Hoxhiq. Kjo ka të bëjë me respekt bazik për rregullat dhe kjo është dëshmi që shoqëria në Kosovë nuk është e gatshme të jetë vërtet multietnike. Ne nuk duam të jetojmë me urdhrat e dikujt tjetër dhe nuk duam të asimilojmë veten”, është shprehur ajo.
Sipas Hoxhiqit, kjo situatë duhet të jetë shqetësuese për secilin person që jeton në Kosovë, pavarësisht se cilit komunitet i takon./tg/
