fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Hoxhiq i drejtohet Supremes pas vendimit “skandaloz” të PZAP-së

Publikuar

Adrijana Hoxhiq, udhëheqësja e subjektit politik boshnjak “Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq”, i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e vlerësoi vendimin e PZAP-së të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo paralajmëroi se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

“Absolutisht do të shkojmë deri në fund. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha institucionet dhe resurset që i kemi brenda Kosovës. Por, në qoftë se kjo nuk jep rezultat, ku do të respektohej e drejta e njeriut për të votuar sipas vullnetit, do të shkojmë edhe më tutje, do t’i shfrytëzojmë edhe mekanizmat e institucioneve jashtë vendit”, tha Hoxhiq, pasi dorëzoi ankesën në Supreme, shkruan Evropa e Lirë.

Gjykata Supreme ka afat prej 72 orësh që të marrë vendim nga momenti i pranimit të një ankese.