Lajme
Hoxhaj thotë se shkarkimi as nuk është lajm, as nuk do të jetë lajm

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj rreth mundësisë së shkarkimit të kryesisë së kësaj partia nga Këshilli i Përgjithshëm ka thënë se as nuk ka iniciativë, as ka vendim, as nuk është lajm, as nuk do të jetë lajm, por temë e debatit në KP do të jetë analizimi i rezultatit zgjedhor. Ai ka thënë se ky është dialog i brendshëm i strukturave të partisë.
“Agjendë e takimit tonë është të diskutojmë rreth rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit, faktorët që e sollën atë rezultat për PDK-në dhe mbi të gjitha të diskutojmë që PDK do të duhet të del me një platformë komplet të re politike sesi t’i qasemi elektoratit dhe qytetarëve”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj theksoi se PDK do të jetë një opozitë e vendosur dhe një front demokratik i qeverisë që do të formohet javën e ardhshme. Ai po ashtu shtoi se sot do të diskutohet edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, por ka mohuar se do të ketë shkarkim të strukturave apo zgjedhje të brendshme të partisë.
“As nuk ka iniciativë, as ka vendim, as nuk është lajm, as nuk do të jetë lajm. Temë kryesore e kësaj mbledhjeje është debati të cilin duhet ta kemi mbi atë se si PDK duhet të analizojë rezultatin zgjedhor dhe si do ta kemi një platformë të re politike… Ju e dini që ne e kemi kryetarin e partisë në gjykatë. Dhe unë mendoj që në situata të tilla çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë mirëkuptim të plotë për situatën në të cilën është PDK. Ka qenë gjykata ajo e cila e ka goditur PDK-në dhe përderisa kryetari është në gjykatë, nuk kemi ndonjë vendim të tillë aktualisht në PDK”, tha Hoxhaj.
Në mbledhjen e kryesisë së djeshme të kësaj partie, Hoxhaj ka bërë të ditur se nuk ka pasur përkrahje për votimin e Vjosa Osmanit për presidente. Ai ka shtuar se kjo çështje do të diskutohet edhe sot në Këshillin Drejtues të partisë.
“Dje, temë kryesore e kemi pasur se cili do të jetë qëndrimi i PDK-së në raport me formimin e institucioneve. Ne dallojmë prej subjekteve tjera politike. Unë nuk i marrë vendimet as në këtë konferencë për shtyp para se të hyjë në sallë. As nuk i marrë vendimet në studio televizive, por vendimet merren në organet e PDK-së. Dje në mbledhje të kryesisë nuk ka pasur përkrahje një gjë e tillë, sot do ta diskutojmë në Këshillin Drejtues të partisë”, tha Hoxhaj.
Takimi i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës po vazhdon.
