fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Haxhiu: Fundi i marsit na zë me qeveri të re – po diskutohen emrat e ministrave

Publikuar

Qeveria Kurti 2 pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji.

Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë joserbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë dhe gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë pas propozimit të LVV-së, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti.

Haxhiu tha se situata me pandeminë, por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë.

“Unë nuk besoj që do t’i konsumojë të gjitha këto 30 ditë (afate ligjore). Besoj që presidentja apo ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani, do ta thërrasë seancën më shpejt duke pasur parasysh rëndësinë për t’u krijuar institucionet legjitime që kanë dalë nga votat e qytetarëve, e pastaj që padyshim besoj që aty afër do të formohet edhe qeveria e re që është shumë e rëndësishme edhe për shkak të pandemisë që po përballemi, por jo vetëm”.

“Unë besoj që nëse gjithçka shkon kështu, siç aktualisht po shkon, fundi i marsit padyshim që do të na zë me qeveri të re dhe pastaj ne duhet të bëhemi gati që ta zgjedhim edhe presidentin e ri për faktin se aktualisht jemi me ushtruese të detyrës dhe ditët po shkojnë. Ne jemi si me thënë edhe peng i kësaj, sepse ne duhet të veprojmë më shpejt në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa zgjedhjen e presidentit të ri”, ka deklaruar ajo, shkruan KlanKosova

Haxhiu, duke shprehur gatishmërinë që edhe në Qeverinë Kurti 2 të marrë përgjegjësitë si Ministre e Drejtësisë, tha se ende nuk dihen emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit të ri qeveritar.

Mirëpo, garantoi se ministrat e rinj, emrat e të cilëve do të bëhen shpejt të ditur, do të jenë persona me integritet të lartë moral, politik dhe profesional./tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021